Pas aksidentit tragjik me 4 viktima në Fushë-Prezë në aksin “Vorë-Fushë Krujë”, Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona dhe një të katërt e ka shpallur në kërkim.
Kështu, u arrestua shoferi 24-vjeçar i betonieres, A.K., i cili nuk kishte patentë për të drejtuar mjet të tillë të tonazhit të rëndë.
Sipas policisë, 24-vjeçari kishte ndaluar betonieren në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.
Nga goditja në pjesën e pasme të betonieres, automjeti tip “Mercedes-Benz” u përfshi nga flakët dhe për pasojë humbën jetën 4 të rinjtë. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres u larguaa nga vendngjarja.
Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit, drejtim automjeti në mënyrë të parregullt dhe largim nga vendi i aksidentit.
Po kështu, është arrestuar edhe V.K. 25 vjeç, kushëri i shoferit të betonieres, pasi e ndihmoi atë të largohej nga vendngjarja.
Gjithashtu është vënë në pranga edhe D.K. 34 vjeç, menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shoferi i betonieres. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres pa patur patentë për këtë kategori mjetesh.
Ndërsa në kërkim është shpallur administratori i firmës së prodhimit të betonit.
Nga aksidenti i rëndë humbën jetën 25-vjeçari Enejdi Laçi që drejtonte mjetin, vëllai i tij Erildi Laçi 20 vjeç, kushëriri i tyre Andi Laçi 22 vjeç dhe shoku Enrikejd Kurti 24 vjeç. Ata u dogjën brenda mjetit Benz që shpërtheu në flakë pas përplasjes me betonieren.
NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;
-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;
-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.