Presidenti i vendit, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët të cilët humbën të dashurit e tyre në aksidentin në Qafë-Muzinë. Në ngjarjen fatkeqe, ndërruan jetë 5 persona.

Kreu i shtetit është solidarizuar me familjarët, ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve. Gjithashtu, ai bëri një apel ndaj qytetarëve për të treguar kujdes dhe përgjegjshmëri në drejtimin e automjeteve në mënyrë që të shmangen tragjeditë.

“Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë. Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre! Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!

Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen.

E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e presidentit Meta./tvklan.al