Humbja tragjike e një fëmije, aq më tepër në moshë të re është një dhimbje që nuk mund të përshkruhet, por kur një gabim të pengon për t’i dhënë atij një varrosje të denjë, gjithçka bëhet edhe më e tmerrshme.

Kjo i ka ndodhur dy javë më parë familjes së Rajmonda Lakaj, një vajzë nga qyteti i Shkodrës, e cila humbi jetën në një aksident tragjik më 6 Maj në Pistoi të Italisë, në moshën 29 – vjeçare.

Familja, që jeton në Shkodër, pas këtij aksidenti fatal priste trupin e të bijës.

Përveç procedurave burokratike që duan disa ditë kohë, kur arkivoli me trupin e pajetë mbërriti në Aeroportin e Rinasit, u konstatua se ai nuk ishte i Rajmondës, por të një vajze marokene, që gjithashtu kishte humbur jetën në Itali dhe që njësoj si familja shqiptare, edhe të afërmit e saj, prisnin trupin e pajetë të së bijës.

Një gabim i pafalshëm, përgjegjësit e të cilit ende nuk dihen, megjithatë një tronditje aspak e lehtë për familjen Lakaj.

Varrimi i Rajmondës, që ishte caktuar pak ditë pak aksidentit tragjik u mbajt 10 ditë më vonë, ndërsa daja i saj, që ishte dhe personi i cili kishte vajtur për të marrë trupin e 29 – vjeçares nuk gjen dot paqe, sesi mund të ketë ndodhur një gjë kaq e rëndë.

Ndërsa hidhërimi i familjes së saj, nënës, babait dhe dy vëllezërve nuk mund të përshkruhet. /tvklan.al

Burimi/lanazione