Aksidentohet gjatë aktivitetit ndërkombëtar, skiatori s’ka para për ndërhyrje

Aksidentohet gjatë aktivitetit ndërkombëtar, skiatori s’ka para për ndërhyrje

21:05 13/02/2020

Lavdrim Hajredini, 19 vjeç, është skiator dhe në vitin 2019, teksa ishte në kampionatin botëror të skive në Itali u përjashtua, pasi nuk kishte kapur normat dhe nuk kishte as veshjen e përshtatshme.

Duke zbritur nga pista u rrëzua dhe për pasojë theu këmbën. Atë e dërguan në një spital në Itali, ku nuk e operuan, pasi nuk kishte siguracion shëndeti. Pasi e kthyen në Shqipëri, e operuan me shpenzimet e federatës. Por Lavdrimit i duhet një tjetër ndërhyrje, për të lidhur ligamentin, pasi sot është i çalë.

Skiatori: Më morën në botëror, nuk më pranuan në garë, se duhej të kapej norma, duhet të kesh komplete, duhet t’i kesh të gjitha. Unë nuk i kisha ato. Për të ardhur poshtë, mora rrobat, që kisha sipër të pista, duke zbritur poshtë, u rrëzova, e theva këmbën, ajo ishte fatkeqësi. Kam ndenjur 4 ditë në spital dhe asnjëri nga të Federatës së Shqipërisë nuk erdhi për të më vizituar. Kur jam zgjuar e kam parë veten në sallë operacioni edhe më kanë nxjerrë nga salla e operacionit, për të më sjellë në Shqipëri.

Gazetarja: Pse nuk të operuan në shtetin italian dhe të sollën në Shqipëri?

Skiatori: Nuk kisha siguracion. Në fund ata m’i paguan, por me shumë probleme.

Gazetarja: Sot që po kurohesh në Kroaci, i paguan vetë shpenzimet apo Federata.

Skiatori: Këtu më ndihmon një person i cili është shqiptar, po më ndihmon ai.

Gazetarja: Sa vite ke që je i anëtarësuar në Federatën e Skiatorëve të Shqipërisë?

Skiatori: Gati 6 vite, më shumë.

Gazetarja: Të janë paguar kontributet shoqërore?

Skiatori: Jo, asgjë.

Gazetarja: Çfarë pagese keni marrë ju?

Skiatori: S’kam marrë as pagesë, asgjë. Thjesht kam qenë i regjistruar, kur kishim Europiane, më merrnin nëpër Evropiane, nëpër Botërore, por isha i vetmi skiator, që isha pa komplet, pa ski, pa asgjë. Kërkesa ime është, që operacionin e dytë të ma paguajnë ato dhe të marr një dëmshpërblim, se unë s’jam i aftë të punoj.

Gazetarja: Pse tashmë nuk do të mund të bëni më ski?

Skiatori: Besoj se jo!

Gazetarja: Do të na e tregosh pak këmbën e dëmtuar?

Skiatori: Duket plaga nga këtu deri këtu. Kam pllakën e hekurit, këtu është dhe më pengon te gjuri. Ligamentet të palidhura, unë kur ec, nuk ec si njeri normal, unë çaloj shumë.

Punonjësit e Federatës Shqiptare të Skive kanë gjithashtu ankesa dhe pranojnë situatën e mjerueshme të këtij sporti.

Punonjësja: Puna është, se këta përshembull, për punën e fondeve, marrin njëherë në vit, shkojnë në periudhën, që ka borë, që bëjnë aktivitete dhe pastaj gjithë viti…

Gazetarja: Sa është pagesa, që i jepet një skiatori?

Punonjësja: Po ku i jepet skiatorit?! Shpenzojnë domethënë, kur shkojnë, është në Kanada, në Japoni, në Kinë. Nuk është, se marrin trajtim kështu.., çdo muaj.

Gazetarja: Po sigurimet ju paguhen?

Punonjësja: As sigurimet s’u paguan këtë muaj. Nuk e di, ça ka ndodhur, por kemi bërë një letër ministres. Domethënë keq e më keq sporti, këtë dimë të themi.

Punonjësja: Nuk ka bërë vaki, që fondet, që jepen për të gjithë aktivitetin e sportit, të jenë me rroga me sigurime, me shpenzime operative, me telefon me të gjitha, të ketë dhe për aktivitete.

Gazetarja: Sa është vlera?

Punonjësja: 1 milion të reja ka marrë skia vjet. Një vit më përpara kanë patur 5 milion lekë. (të vjetra)

Gazetarja: Po këtë vit?

Punonjësja: S’ka, s’ka asnjë lek.

Gazetarja: Nuk ua siguron Federata veshjet?

Punonjësja: Federata me ndihma, kur vijnë ndihma, por që të ketë gjendje materiale, bazë materiale federata e skive, nuk ka. Gjithmonë nga 5 milionë lekë të vjetra jepen. Vjet kanë marrë 10.

Presidenti i Federatës së skive Elvis Toci, shprehet, se i kanë shërbyer Lavdrimit, por nuk ka siguracion për të mbuluar dëmet në pistë dhe kontributet duhet t’i paguajnë vetë sportistët. I vetmi gabim i federatës, sipas tij, është që e ka marrë në kampionat.

“Duhet thënë që nuk është sportist i elitës, apo i akredituar pranë federatës sonë. Është një sportist amator. Pjesëmarrja e tij në Itali ishte me dëshirën tonë, pse jo t’i bashkohet grupit të sportistëve elitarë. Aty i ndodhi një aksident, ishte jashtë garës. Kokorja, që ne mendonim se ai e kishte, nuk ishte e standardeve të nevojshme. Çdo incident që ndodh në pistat e garave, pavarësisht se ky nuk ishte në garë, këto lloj kampionatesh, organizatori përgjigjet për incidentet në fushë. Ato jashtë saj i marrin federatat respektive. Këtu ka një problem, i cili dhe në këtë rast nuk është problem as i Lavdrimit dhe as i joni në këtë rast. Sporti i skive nuk ka siguracione ndërkombëtare. Asnjë shoqëri sigurimesh brenda Shqipërisë nuk bën sigurim për sportin e skive. I blemë biletë avioni dhe pas dy ditësh që ndenji në spitalin e Veronas, e sollëm në Shqipëri. Direkt është dërguar në spitalin e Traumës. Spitali i Traumës nuk kishte asnjë dokumenti për ta trajtuar këtë djalë. Këtu kemi faturat se si federata jonë 1/3 e buxhetit që na e akrediton shteti, 2 mijë euro kemi blerë materialet për operacionet”, tha ai.  

Eksperti i sporteve dhe ish-zëvendësministri Rauf Dimraj, shpjegon, se kjo që ka ndodhur është përgjegjësi e federatës së skive dhe i takon asaj të mbulojë shpenzimet shëndetësore për 19-vjeçarin Lavdrim Hajredini. Kjo sipas tij, përcaktohet dhe në 2 nene të ligjit të sportit të vitit 2017.

“Kemi të bëjmë me një djalë të ri, i cili vendos rininë në dispozicion të arritjes së një rezultati sportiv, siç është sporti i skive. Kjo është për t’u lavdëruar dhe për t’u stimuluar në të gjitha drejtimet. Shteti nëpërmjet shërbimit të tij sanitar mbron shëndetin si një e drejtë themelore dhe e shoqërisë. Mjeku sportiv vlerëson gjendjen fizike, dhe psikike të sportistit. Në Shqipëri nuk ka një institucion që mbulon vlerësimin e këtyre. Po t’i referohemi ligjit të sportit, ky djalë ka të drejtë që çdo dëmtim në garë është përgjegjësi e federatës”, tha ai./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi