32-vjeçari me iniciale është vënë në pranga të policisë pasi ka vjedhur 2 makina brenda ditës në Tiranë.

Policia njofton se grabitja e makinës është mësuar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur rreth orës 13:30 te ish-Uzina e Autotraktorëve, në të cilin 32-vjeçari ishte i përfshirë. Ai është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e shpejtë.

Pas verifikimit të automjetit tip “Volkswagen”, të përfshirë në aksident, ka rezultuar se makina ishte vjedhur disa minuta më parë në Fushë-Farkë.

32-vjeçari pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, pas disa minutash është larguar nga spitali. Në momentin që është larguar në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë tentativës për t’u larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, 32-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera. Dyshohet se 32-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./tvklan.al