Një punonjës policie është aksidentuar këtë të hënë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 në autostradën Durrës-Tiranë në hyrje të Vorës.

Mësohet se polici kishte ndaluar një makinë tip BMW X5 për të kryer verifikimet kur u përplas nga një automjet tjetër që drejtohej nga një 20-vjeçar. Ky i fundit ishte duke udhëtuar me shpejtësi të madhe dhe për pasojë ka humbur kontrollin.

Në këtë moment ai është përplasur me mjetin tjetër ku polici po qëndronte në krahun e shoferit për të kryer veprimet policore.

“Automjeti i drejtuar nga shtetasi me iniciale M. B ., 20 vjeç, ka humbur kontrollin si rezultat i shpejtësisë dhe për pasojë ka goditur automjetin e ndaluar jashtë rruge tip BMW X5, si dhe punonjësin e Policisë Rrugore me iniciale R. Q., i cili në momentin e përplasjes po kryente verifikimet dhe veprimet policore ndaj drejtuesit të automjetit tip BMW X5 në krahun e shoferit të këtij mjeti, i cili ishte konstatuar duke qarkulluar pa vendosur targat në vendin e caktuar”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Polici ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë në komisariat janë dërguar të dy shoferët e mjeteve të përfshira në aksident.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./tvklan.al