Policia e Shtetit ka marrë pjesë në një operacion ndërkombëtar të koduar “Opson 8”, që mbështetej nga Interpol dhe Europol. Ky operacion synonte goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit dhe trafikimit të ushqimeve e pijeve të skaduara. Gjatë aksionit në Shqipëri janë kontrolluar 244 subjekte tregtare, persona, punishte dhe automjete transporti.

Në deklaratën për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se 8 subjekte janë proceduar penalisht për shkelje të të drejtave të pronësisë industriale, 30 të tjera për mashtrim e kontrabandë mallrash, 22 persona janë proceduar në gjendje të lirë, 9 vetë janë arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 2534 kg mish i ngrirë, 8560 litra verë, 372 kg kafe, 700 kg djathë, 264 kg sallam dhe nënprodukte, 52 litra pije alkoolike, 100 litra pije freskuese, 1450 litra ujë mineral, 4500 kokrra vezë, 66 litra vajra vegjetalë, 85 kg fruta të thata dhe 600 njësi patatina, vlera e të cilave shkon në total 160 mijë Dollarë. /tvklan.al