Pas një punë të mirëorganizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me mbështetjen e forcave Speciale RENEA, u organizua dhe finalizua operacioni policor “Klubet e natës”, për goditjen e personave që shpërndanin lëndë narkotike në klubet dhe lokalet e natës, në Qarkun e Shkodrës.

Operacioni u zhvillua pas hetimeve të kryera si rezultat i procedimit penal të vitit 2019 dhe si rezultat u bë kapja dhe arrestimi i:

A. V,  29 vjeç, menaxheri i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

G. M., 27 vjeç, menaxher i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, në bashkëpunim”.

Z. J., 57 vjeç, këngëtar në klub, lindur në Muriqan e banues në Shkodër.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim policor e pronarit të lokalit, E. M., si dhe u proceduan në gjendje të lirë Ç. P., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (klient) dhe L. S., 31 vjeçe, banuese në  Shkodër (balerinë).

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të gjithë këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë shitur dhe shpërndarë lëndë narkotike kokainë, kanë vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni.

Në momentin e kontrollit, policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.

“Vazhdon puna me intensitet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ në bashkëpunim, ‘’Përshtatja e lokalit për përdorim droge’’, ‘’Prostitucioni’’, ‘’Mbajtja e lokaleve për prostitucion’’ dhe ‘’Fshehja e të ardhurave’’”, përfundon njoftimi i uniformave blu. /tvklan.al