Një aksion vullnetar pastrimi është kryer këtë të shtunë në të gjithë Tiranën.

Ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës, vullnetarë nga shkollat e kryeqytetit dhe qytetarë, i janë bashkuar thirrjes për të pastruar njësinë, lagjen apo pallatin e tyre.

Në këtë aksion u bë pjesë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Falenderoj të gjithë qytetarët që iu bashkuan aksionit, por sidomos të rinjtë, në të 27 Njësitë e Tiranës. Në korrik-gusht fillojnë pushimet, çka do të thotë se shtohet volume i mbetjeve në Tiranë sepse do të shtohen turistët. Pra, edhe volumi i pastrimit do të shtohet, por do të na duhet të shtohet edhe volumi i kulturës dhe i pastërtisë që mban secili për vete”.

Në funksion të një mjedisi të pastër, Veliaj njoftoi se në Tiranë do të krijohet edhe një ishull ekologjik, në mënyrë që banorët që ndërrojnë mobiljet e tyre shtëpiake, të mos i lënë në mes të rrugës.

“Në Tiranë do të krijojmë një pikë që do quhet ishull ekologjik, ku qytetarët mund t’i sjellin vetë higjieno-sanitaret dhe të mos i lënë te dera e pallatit. Shumë shpejt do të publikojmë edhe një numër unik, ku shërbimi i marrjes së mobilieve ose rraqeve të vjetra do të kryhet nga Bashkia e Tiranës, kundrejt një pagese modeste, për të mos i lënë në poshtë pallatit.”

Që Shqipëria të fitojë po ashtu betejën për turizmin e qëndrueshëm, Veliaj kërkon nga çdo qytetar që të mbajë pastër mjedisin ku jeton.

Tv Klan