Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Prishen kioskat në hyrje të doganës së Kapshticës, pas një kërkese të drejtuesve të kësaj dogane, që e realizoj policia ndërtimore e Korçës. Dhjetë kioska llamarine, një ndërtim lokal, përfshi edhe kioskën e shërbimit 24 orësh të policisë u shembën brenda një ore. Pronarët e kioskave, të fshehur pas dokumentesh të falsifikuara, kishin rrethuar me rrjeta teli e kthyer në parkime private sipërfaqe të tëra.

Tani dogana e Kapshticës ka marrë pamje të plotë, e përuruar vetëm tre javë më parë. Sipas kryetarit të policisë ndërtimore të prefekturës Guri Bejo, të tilla aksione do të ndërmerren edhe në doganat e Qafë Thanës e Tushemishtit në Pogradec.

Elbasani është përfshirë në fazën e tretë të aksionit anti-kioskë. Në tre ditë do të prishen 155 ndërtime pa leje, për t’i hapur më pas rrugën projekteve të planifikuara në pikat kryesore të qytetit. Në këtë fazë, aksioni ka përfshirë ndërtimet pa leje në parkun Rinia, në unazën veriore të qytetit dhe në rrugën e Universitetit. Burime të policisë ndërtimore në Elbasan pohojnë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund objektivin e tyre, për prishjen e të paktën 450 ndërtimeve pa leje në Elbasan, por kjo do të ndodh në mënyrë graduale./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego