Ka shkuar në 38 numri i personave të arrestuar pas disa operacionesh antidrogë të zhvilluara në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë. Gazetarja Glidona Daci bëri me dije se gjatë operacionit të fundit, të koduar “Shpirti”, kanë rënë në pranga 28 persona pasi 10 të tjerë kanë qenë të arrestuar më herët në kuadër të dy aksioneve të tjera antidrogë.

Operacioni vijon të jetë në vijim e sipër, ndërsa mësohet se janë sekuestruar disa miliona Euro pasuri, të cilat dyshohet se kanë rrjedhur nga krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme.

Gazetarja e Klan News bëri me dije se Oficerët e Policisë Gjyqësore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po kryejnë kontrolle në disa qytete të vendit si Fier, Vlorë, Kavajë dhe Tiranë. Në këto qytete është i përqendruar numri më i madh i personave të arrestuar, për të cilët është vendosur masa e sigurisë nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për një pjesë të të ndaluarve është marrë edhe urdhri për kontrollin e banesave.

Agjentë të Antimafias italiane në Shqipëri

“OPGj në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po kryejnë kontrolle në disa qytete të vendit, si Fier, Vlorë, Kavajë dhe Tiranë ku janë përqendruar pjesa më e madhe e personave të arrestuar. Po kontrollohen banesat e tyre pasi personat e arrestuar janë me masë sigurie të caktuar nga GJKKO”, raportoi gazetarja.

Deri më tani është mësuar se në pranga ka rënë një prokuror. Bëhet fjalë për Maksim Sotën, prokurorin e Vlorës. Të arrestuar janë të paktën edhe 5 zyrtarë policie. Mes tyre është edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë. Ky është një nga operacionet më të mëdha të zhvilluar këtë vit nga SPAK në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare. Akuzat ndaj të arrestuarve në këtë operacion janë për trafik ndërkombëtar të drogës, korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim parash. /tvklan.al

Prokurori Maksim Sota