Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia tatimore ka ushtruar kontrolle në tregjet kryesore me qëllim shtimin e detyrimeve tatimore në rast të rritjes abuzive të çmimeve në fund të vitit. Kontrollet janë përqendruar në tregjet e shumicës, por dhe në tregjet e pakicës.

“Nëpërmjet kontrollit, duhet të evidentojmë çmimet e blerjes nëpërmjet faturave ku janë blerë mallrat, njëkohësisht të evidentojmë dhe afishimin e çmimeve dhe nëpërmjet këtyre rrugëve, ne arrijmë që në rast se ka rritje artificiale të çmimeve, detyra jonë është që t’i evidentojmë dhe të marrim atë pjesë të tatimeve që na takon nga kjo rritje çmimi”.

Policia tatimore po mbështet fushatën e Bankës së Shqipërisë, për shmangien e rritjeve abuzive të çmimeve me rastin e festave. Aksioni tatimor, sipas drejtuesve të tatimeve, pritet të ketë rezultate tek çmimet. Gjithsesi ky aksion mund të konsiderohet i vonuar, duke pasur parasysh se çmimet prej ditësh janë rritur dukshëm./tvklan.al