Në të gjithë sportelet e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë është konstatuar këto ditë një rritje e ndjeshme e atyre qytetarëve të cilët nxitojnë që të lidhin akt-marrëveshje për kryerjen e pagesave të prapambeturave apo për të lidhur një kontratë të re uji.

Për t’u ardhur në ndihmë atyre qytetarëve të cilët dëshirojnë të aplikojnë për kontratë të re me Ujësjellësin e Tiranës, si dhe konsumatorët që janë të interesuar të kryejnë pagesa apo të përfitojnë nga skema lehtësuese e shlyerjes së debisë që UKT ofron për ta, shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë ka vendosur orare të reja shërbimi në të gjitha Njësitë Zonalë, PIKAT UKT si dhe në arkat kryesore të qytetit.

Sportelet do të jenë të hapurave nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, nga e hëna në të shtunë. Ndërkohë që për çdo paqartësi, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 08004488 që qëndron 24 orë në 24 në dispozicion për të informuar dhe ndihmuar çdo qytetar.

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga 31 janari, UKT i bën thirrje qytetarëve të cilët nuk kanë formalizuar ende lidhjen e tyre, të paraqiten pranë pikave të kujdesit ndaj klientit, ndërsa nga 1 shkurti, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.

/tvklan.al