Sekuestrohen mallra me vlerë qindra mijëra euro

3 nga 8 personat e arrestuar dje gjatë aksionit antikontrabandë janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa 5 prej tyre vazhdojnë të mbahen në arrest. 6 prej të arrestuarve janë shqiptarë, një boshnjak dhe një serb.

Policia ka njoftuar se në kërkim janë edhe 10 të dyshuar të tjerë vetëm 1 prej të cilëve është serb. Ndërsa malli i  konfiskuar nga zyrtarët doganorë dhe policia e Kosovës e që dyshohet se është i kontrabanduar, kap vlerën e qindra mijëra eurove.

Aksioni i policisë të mërkurën kundër mallrave të kontrabanduara ka hasur në rezistence në vendbanimet serbe, konkretisht në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Protestuesit nuk kanë hezituar të përdorin edhe armë zjarri, shok bomba e mjete të tjera për të sulmuar policinë, ku 8 zyrtarë policorë u lënduan. Ata fillimisht kishin kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin rajonal në jug të Mitrovicës ndërsa 4 prej tyre ishin transferuar në QKUK.

Gjendja e tyre është stabile dhe të gjithë janë jashte rrezikut për jetën. Ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës e cila ka dënuar ashpër sulmin ndaj zyrtarëve policor. Sipas tyre, policia është duke punuar në mënyrë profesionale në zbatimin e ligjit.

Tv Klan