Çdo ditë grupet Task-Forcë të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Policisë Bashkiake dhe së Policisë së Shtetit verifikojnë mbi 100 biznese të ndryshme, me synimin për të ndërprererë çdo lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, dhe Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, ishin sot në zonën e Dajtit, për të ndjekur në terren aksionin për disiplinimin e shfrytëzimit të ujit të pijshëm nga lokalet dhe kompanitë që merren me përpunimin dhe tregtimin e ujit në qytet.

“Aksioni i UKT ka filluar sistematikisht nga data 1 shkurt, për një inspektim të detajuar të të gjitha bizneseve dhe identifikimin e lidhjeve të paligjshme apo mënyrën se si konsumohet uji. Kemi në terren 9 grupe pune, të cilët shkojnë në bizneset kryesore, duke plotësuar edhe formularët e vetë-deklarimeve. Bëhen rreth 100 inspektime çdo ditë”, tha Mazniku.

Gjatë tre ditëve të para të këtij aksioni janë ndërprerë një numër lidhjesh të paligjshme të bizneseve me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, ndërkohë që ndaj abuzuesve janë marrë masa ligjore. Mazniku siguroi se ky aksion do të vijojë në mënyrë të rregullt gjatë muajit shkurt, derisa të garantohet që të gjitha lidhjet me rrjetin e ujësjellësit të jenë në përputhje me ligjin.

“Jemi të vendosur që ky aksion të vijojë dhe në fund të procesit, çdo person i cili gjendet që ka lidhje të paligjshme, do të ndëshkohet ashtu siç ligji e kërkon. Do të sigurohemi që ky shërbim të ofrohet në mënyrë sa më qytetare, sa më profesionale për të gjitha ato biznese që janë të rregullt dhe funksionojnë brenda të gjithë kuadrit ligjor”,

theksoi ai.

Mazniku u bëri thirrje konsumatorëve familjarë që të shfrytëzojnë afatin e ri të vendosur nga qeveria, për të vendosur lidhje të ligjshme dhe për të nënshkruar kontratat e reja me UKT. “Është shtyrë deri në fund të muajit shkurt mundësia që u është dhënë qytetarëve që të vijnë pranë zyrave të UKT, që janë të hapura me orare të zgjatura gjatë kësaj kohe, për të formalizuar lidhjen e tyre, ose nëse kanë pagesa të prapambetura të Ujësjellësit, për të bërë një marrëveshje me UKT e për të pasur mundësi të kryejnë pagesat nëpërmjet një marrëveshje për ta paguar atë në kohë dhe me këste”, deklaroi ai.

 Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla u shpreh i kënaqur me treguesit e arritur gjatë këtyre tre ditëve, ku vihet re një ndërgjegjësim nga ana e bizneseve për të formalizuar lidhjet e tyre dhe për të shlyer detyrimet e prapambetura për sasinë e ujit të shfrytëzuar.

“Jemi në ditën e tretë të aksionit për verifikimin e bizneseve, pasi për pjesën e familjarëve afati u shty deri në fund të shkurtit. Shohim se pjesa më e madhe e bizneseve janë rregulluar si nga ana proceduriale, si nga ana e matjes”,

u shpreh Molla.

 Për t’u ardhur në ndihmë atyre qytetarëve të cilët dëshirojnë të aplikojnë për kontratë të re me Ujësjellësin e Tiranës, si dhe konsumatorët që janë të interesuar të kryejnë pagesa apo të përfitojnë nga skema lehtësuese e shlyerjes së debisë që UKT ofron për ta, shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë ka vendosur orare të reja shërbimi në të gjitha Njësitë Zonalë, PIKAT UKT si dhe në arkat kryesore të qytetit.

 Sportelet qëndrojnë të hapurave nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, nga e hëna në të shtunë.

/tvklan.al