Hotel “Mira Mare” në Durrës, që u shemb tërësisht nga tërmeti i 26 Nëntorit ku dhe humbën jetën dy persona, rezulton të jetë ndërtuar pa leje dhe të jetë legalizuar me dokumente të falsifikuara. Kështu ka deklaruar në emisionin “Opinion” gazetarja Klodiana Lala, duke iu referuar hetimeve të Prokurorisë.

Sipas gazetares, ndërtuesi i arrestuar i këtij hoteli, Rruzhdi Xheka ka përdorur një akt-ekspertimi të falsifikuar për të legalizuar këtë objekt. Ky akt-ekspertimi, tha gazetarja Lala, i përket një eksperti që ka ndërruar jetë 5 vite përpara legalizimit të hotel “Mira Mare”.

“Do ta nis fillimisht me pistat e hetimeve ku është ndalur Prokuroria. Janë tre prokurorë të cilët janë duke u marrë me hetimin për të gjitha banesat dhe objektet e shembura. Dhe më pas është një grup prej tre prokurorësh të tjerë të cilët po merret me ato ndërtesa që kanë pësuar dëmtime të rënda, dëmtime të mesme apo dëmtime të lehta.

Dua të nis pikërisht nga “Mira Mare”. Aty është arrestuar ndërtuesi i “Mira Mares” Rruzhdi Xheka. Në rrënojat e këtij hoteli për fat të keq humbën jetën dy persona. Hotel “Mira Mare” jo vetëm që është legalizuar është një ndërtim tërësisht pa leje dhe është legalizuar në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e thotë shumë qartë, hotel “Mira Mare” ka filluar të ndërtohet për vite me radhë për të përfunduar dhe për t’u legalizuar në vitin 2018.

Problemi është që për legalizimin e këtij objekti, ndërtuesi ka përdorur krahas të tjerave edhe një akt-ekspertimi, që është i domosdoshëm për legalizimin dhe është një akt-ekspertimi tërësisht i falsifikuar, sepse eksperti i cili presupozohet që e ka përpiluar këtë akt, rezulton të ketë ndërruar jetë 5 vite përpara se sa të bëhej legalizimi”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala. /tvklan.al