Deri në fund të vitit nuk ka gjoba edhe nëse nuk fiskalizohesh

Qeveria ka vendosur që të lerë në dorë të bizneseve për të zgjedhur nëse duhet të fiskalizohen ose jo deri në fund të këtij viti.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka dërguar në Këshillin e Ministrave një projekt atk normativ, i cili pezullon dënimet administrative në rastin se subjektet nuk regjistrojnë të dhënat për të lëshuar faturat, proces i cili automatikisht i fiskalizon ato.

Gjobat në ligjin e procedurave tatimore pezullohen edhe për operimet e tjera që lidhen me lëshimin e faturës elektornike: dërgimin e e-faturës, mosmarrja e saj nga bizneset që furnizohen ose konsumatori, si dhe dënimet që parashikohen në këtë process për bankat dhe institucionet financiare.

Financat e argumentojnë këtë ndryshim në relacion me vështirësitë që i ka krijuar biznesit pandemia e Covid-19.

“Për shkak të kushteve të vështira të krijuara dhe me qëllim mbështetjen e komunitetit të biznesit, duke qenë së bëhet fjalë edhe për një proces të ri që nuk është aplikuar më herët në vendin tonë, propozohet që dënimet administrative të mos aplikohen deri më 31 Dhjetor 2021”.

Dënimet për mos hyrjen e subjekteve në sistemin e ri të lëshimit të faturës përmes platformës elektronike e cila raporton shitjet në kohë reale variojnë nga 25 mijë Lekë të rinj për biznesin e vogël deri në 75 mijë Lekë për të madhin.

Shtyrja është kërkuar nga komuniteti i biznesit për t’i dhënë më shumë kohë sipërmarrjes të njihet me procesin, por dhe kostot shtesë që nevojiten për instalimin e software të ri.           

Tv Klan