Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, pas publikimit të aktakuzave të Zyrës së Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, ka thënë Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Pas njoftimit për ngritje të aktakuzave, presidenti Thaçi, ka anuluar vizitën e tij në Uashington, ku ishte planifikuar të zhvillohej një takim me zyrtarët serbë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. /REL