Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se të martën u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Lidhur me këtë zhvillim, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i cili në një shënim të lënë në Facebook shprehet se këto akuza nuk mund të zbehin luftën çlirimtare të Kosovës, të cilën e cilëson si faqen më të ndritur të qëndresës shqiptare për liri.

Berisha e vlerëson vendimin e Thaçit për të anuluar takimin në Washington, ndërsa uron që të figurat e politikës kosovare të provojnë para botës pafajësinë e tyre.

“Akuzat ndaj individëve të veçantë nuk mund zbehin luftën çlirimtare të Kosovës si faqen më të ndritur të qëndresës shqiptare për liri e dinjitet kombëtar, që nga luftërat e Skënderbeut.

Uroj që të akuzuarit të provojnë para botës pafajësinë e tyre. Vlerësoj vendimin e z.Thaçi për të mos përfaqësuar Kosovën në takimin e Washingtonit”. /tvklan.al