Aktiviteti ekonomik tkurret me 518 mln USD, rritja ekonomike 2%

Aktiviteti ekonomik tkurret me 518 mln USD, rritja ekonomike 2%

15:50 22/03/2020

200 mln USD më pak nga taksat, preken investimet kapitale

Qeveria vlerëson se në situatën ku ndodhet sot vendi, rritja ekonomike për këtë vit nuk do të jetë më shumë se 2% e prodhimit kombëtar, nga 4.1% që vlerësohej në buxhetin e këtij viti.

Në vlerësimet e skenarit të parë, prodhimi kombëtar do të tkurret me 518 milionë Dollarë, krahasuar me skenarin fillestar të vitit 2020, thotë Ministria e Financave në një deklaratë për shtyp.

“Rritja ekonomike reale e vendit është parashikuar në nivelin 2%. Parashikimi i rritjes ekonomike, si dhe të gjithë variablave të tjerë makroekonomikë, do të jetë subjekt rishikimesh në vijimësi të qartësimit të dinamikës së situatës”.

Për të siguruar financimet e paketës së masave ekonomike, qeveria është e detyruar që të rritë nga 2.2 në 3.9% të prodhimit kombëtar defiçitin buxhetor, ndërsa borxhi publik shkon në 68.8%.

Në vlerë monetare defiçiti rritet 290 milionë Dollarë, ku shumica e tij do të vijë për shkak të tkurrjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, si pasojë e mbylljes së bizneseve.

“Parashikimet sasiore për impaktin negativ të COVID-19 në ekonomi, mbeten ende të paqarta edhe në Shqipëri. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ndjekë me kujdes maksimal ecurinë e treguesve kryesorë, me objektiv primar përmirësimin e tyre gradual dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale”.

Në skenarin e parë të ndryshimit të buxhetit, pritshmëria për të ardhurat nga taksat është ulur me 200 milionë Dollarë, ndërsa shpenzimet janë rritur me 90 milionë Dollarë në total, ndërsa për një pjesë tjetër të financimit të paketës ekonomike janë ulur me 8 milionë Dollarë investimet publike, 17 milionë më pak për pagesat e koncesioneve dhe 1.5 milionë si rezultat i uljes së pagave për kabinetin qeveritar, Presidentin dhe deputetët.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi