Për herë të parë në film flitet shumë shqip

Aktori shqiptar i cili prej kohësh jeton në Londër, Orli Shuka është bërë pjesë e serialit “Gangs of London”, së bashku me bashkëshorten e tij. Një serial i cili ka në qendër luftën mes bandave të krimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ngjarjet zhvillohen në zemër të Londrës, ku zhvillohen luftërat e trazuara të bandave për pushtet. Ky serial u bë shumë i njohur në Shqipëri, pikërisht për shkak të aktorëve shqiptarë që ishin protagonist.

Ai në Londër jeton së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tyre. Orli ka një karrierë të suksesshme në kinematografinë britanike duke luajtur në 6 filma, si dhe në disa vepra teatrale.

Në një lidhje Skype për programin “Rudina”në Tv Klan, Orli së bashku me bashkëshorten e tij, Erin rrëfyen edhe më tepër për eksperiencën në serialin britanik.

Orli Shuka: Ishim pjesë e këtij kasti, unë fatmirësisht fitova rolin e Luanit në “Gangs of London”. U bë një punë madhështore, kemi xhiruar që nga Nëntori i 2018-ës, deri në Korrikun e 2019-ës. Një punë kolosale, por kisha fatin që punova me njerëz që e duan artin.

Rudina Magjistari: Edhe Eri iu bashkua kastit në të njëjtën kohë?

Orli Shuka: Pak më vonë, unë fillova në Nëntor, Eri ka filluar diku nga Marsi. Unë jam pjesë e episodit të 1, 2,3 deri tek i 9. Kurse Eri është 4,6 ,7,8.

Rudina Magjistari: Si ishte të interpretonit me njëri-tjetrin, si në jetë ashtu edhe në rol. Burrë e grua në jetë, burrë e grua në film?

Orli Shuka: Nuk është hera e parë që e bëjmë, kemi bërë edhe në produksione më përpara. Unë ndihem komod me Erin sepse kemi të njëjtën marrëdhënie, Gjërat janë piketuar ashtu siç duam ne dhe nuk kemi turp, nuk kemi ndrojtje, nuk kemi asgjë të ndajmë në sheshxhirim, thjesht japim atë që duam dhe asgjë nuk ndodh.

Rudina Magjistari: Orli kanë qenë edhe disa aktorë të tjerë shqiptarë pjesë e këtij kasti apo jo?

Orli Shuka: Është shumë fat i madh që për herë të parë në film flitet shumë shqip. Për herë të parë ka dy skenarë të shkruar në linja të kundërta me njëra-tjetrën, për shqiptarë. Janë dy linja paralele të skenarit ku trajtohen shqiptarët.

Aktori ka luajtur edhe me aktorin me famë botërore, yllin e Hollywood-it, Brad Pitt, në filmin “War Machine”./tvklan.al