Aktori Çun Lajçi merr Kullën e Sahatit të Tiranës


Aktori Çun Lajçi merr Kullën e Sahatit të Tiranës

12:43 06/09/2020

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në zyrën e tij aktorin dhe shkrimtarin e njohur kosovar, Çun Lajçi.

Artisti, i cili ndodhet prej disa ditësh në kryeqytet për të promovuar librin e tij të fundit, iu rezervua një takim i ngrohtë nga kryebashkiaku Veliaj, përgjatë të cilit u diskutuan një sërë temash dhe çështjesh të lidhura me artin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës shqiptare.

Jam shumë i lumtur që kemi pas bujtës në Tiranë, Çun Lajçin e madh, jo vetëm të dyqind roleve, por edhe të dyqind frymëzimeve e dyqind energjive. Sikur të gjithë ne të kishim një minimum të kësaj energjie, të këtyre roleve në shoqëri, do ishte një bekim i madh”, u shprehVeliaj.

Duke e përgëzuar për veprën, por dhe për kontributin e dhënë si artist dhe shkrimtar, kryebashkiaku e vlerësoi Lajçin si një vlerë të paçmuar për shoqërinë shqiptare.

“Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, artisti Çun Lajçi u shpreh i nderuar për mikpritjen e kryebashkiakut.

“Të falenderoj shumë për burrërinë, për ftesën, që more një shitës librash dhe e solle në zyrë, pavarësisht roleve, pavarësisht viteve. Gjithçka ndërtohet në paqe mbi librin dhe mbi dijen, – kësaj s’guxojmë t’i ikim, se po ikëm nga dija, nga libri, nga mendimet e të kaluarve tanë, me vetëdije ike mi prerë rrënjët tona. Prandaj, të falenderoj që më more prej librave dhe më prure këtu, duke më dhuruar Sahatin e Tiranës, që do ta mbaj kujtim gjithë jetën”, u shpreh Lajçi.

Kryetari Veliaj i dhuroi simbolikisht, në shenjë mirënjohjeje artistit të nderuar, Kullën e Sahatit të Tiranës. /tvklan.al



Të ngjashme