Aktori i Star Wars, John Boyega ka dhënë dorëheqjen si ambasador global për markën e njohur të parfumeve ‘Jo Malone’. Shkak është bërë zëvendësimi i tij me një aktor tjetër për një reklamë të parfumit “Jo Malone”.

Në një postim në Twitter, aktori Boyega ka sqaruar se ai kishte xhiruar një reklamë me miqtë dhe familjarët e tij në Londër. Të njëjtën reklamë kompania e kishte bërë për tregun kinez me të njëjtin skenar por kishte zëvendësuar protagonistin dhe familjarët e tij.

Në qendër të kësaj reklame të ndryshuar është aktori kinez Liu Haoran. Boyega pretendon se përdorimi i kësaj reklame për tregun kinez, është bërë pa dijeni e tij. Këtë veprim ai e ka konsideruar “gabim dhe diçka të pahijshme”.

Nga ana tjetër, kompania Estee Lauder ka reaguar dhe ka pranuar pretendimet e aktorit, madje ka kërkuar falje. Jo vetëm kaq, por kjo kompani ka tërhequr nga tregu kinez edhe publikimin e reklamës me protagonistin e ndryshuar. Edhe pse kompania Estee Lauder ka bërë hap pas, aktori John Boyega nuk e ka pranuar faljen.

Nuk është hera e parë, që aktori Boyega bie pre e redaktimeve që janë bërë për tregun kinez. Edhe në vitin 2016, u krijuan polemika të mëdha, kur Disney zbuloi një poster të rikrijuar për Star Wars në Kinë.

Krahasuar me posterin origjinal, karakteri kryesor i filmit “Finn”, Boyega ishte zvogëluar në madhësi duke bërë të duket sikur ka një rol periferik.

Edhe në protestat e “Black Lives Matter” në SHBA, aktori kishte mbajtur fjalim duke kërkuar që aktorët me ngjyrë të mos trajtohen me indiferentizëm nga kompanitë e filmave. /tvklan.al