Drejtori i programacionit në Tv Klan, Albert Dumani, i ftuar sot në programin “Rudina”, ka folur për serialet e reja të suksesshme, të cilat do të fillojnë në TV Klan, por edhe ato të cilat kanë filluar tashmë, me histori mjaft interesante.

Pas përfundimit të serialit “Bija Ime”, një tjetër serial turk ka nisur transmetimin në ekranin e TV Klan. Bëhet fjalë për “Lule të vetmuara”. Ejlyl është një vajzë 16-vjeçare e ngacmuar seksualisht nga njerku i saj. Duke mos e besuar, nëna e braktis duke e dërguar në jetimore. Ejlyl, tashmë e vetmuar, njihet aty me vajza të tjera jetime, ku secila prej tyre ka një histori të dhimbshme.

Një dramë familjare dhe njerëzore, një histori mbijetese e disa vajzave të reja në një botë të madhe, ku ato janë “Lule të vetmuara”. Seriali është fitues i çmimit “Drama më e mirë e vitit” nga “Life Foundation”, si dhe fitues i disa çmimeve të tjera, si seriali më i mirë në Turqi, Kore dhe Francë. “Lule të vetmuara”, transmetohet çdo ditë nga e hëna në të shtunë, premierë ekskluzive vetëm në ekranin e TV Klan ora 18:20. 

Albert Dumani: Është një serial dramatik, shumë i pëlqyer, ka zgjatur 3 sezone në Turqi dhe janë 385 episode që do trasmetohen. Është një dramë sociale, personale, familjare. Gjatë gjithë kohës do shohim si do mbijetojnë vajzat. Jetimorja ndodhet në lagjen më të pasur të Stambollit. Është mjaft i ndjekur në Turqi, por edhe në vendet e tjera ku është shfaqur.

“Kuzgun” është një tjetër serial mjaft i sukseshëm, i cili transmetohet prej pak kohësh në TV Klan. Për 20 vjet me radhë, një fëmijë jetim i braktisur dhe i rrëmbyer i mbijeton dhimbjes dhe traumës duke u stërvitur për të qenë një shpatë e fortë hakmarrje.“Kuzgun” (Korbi) ka një plan për të marrë hak ndaj atij, që tradhëtoi babain e tij deri në momentin kur përballet me Dilën, dashurinë e tij të parë.

Albert Dumani: Unë e kam dashuruar këtë serial që kur doli, që në projektet e tij sepse aktori kryesor Barış Arduç, që është me origjinë shqiptare, është një aktor shumë i mirë, po ashtu edhe drama është shumë interesante. Seriali bëri shumë bujë, prodhimi ka përfunduar në Turqi në Tetor.

Më tej, Dumani shton se aktori kryesor e ka pranuar se është me origjinë shqiptare.

Gjyshërit e tij janë shpërngulur në Zvicër, dhe ai e ka pranuar që është me origjinë shqiptare. Neve na pëlqen të themi që janë me origjinë shqiptare se janë shumë të suksesshëm”. /tvklan.al