Intervistë ekskluzive me Kivanç Tatlitug

Intervistë ekskluzive me Kivanç Tatlitug

14:41 09/09/2019

Aktori më i paguar turk rikthehet në Tv Klan

Në një intervistë ekskluzive për “tvklan.al”, Kivanç Tatlitug, një prej aktorëve më të famshëm në Turqi dhe të dashur në Shqipëri, shpjegon rolin e tij në serialin “Ironia e Fatit”, i cili nisi transmetimin premierë mbrëmjen e së dielës në Tv Klan.

Në intervistën e tij, 35-vjeçari shpjegon edhe ndryshimet mes roleve të shumta, me të cilat është shfaqur para publikut, pse u detyrua të braktiste sportin dhe si iu fut rrugës së kinematografisë.

Tatlitug shprehet i bindur se “Ironia e Fatit”, tepër e pëlqyer në Turqi, do vlerësohet shumë edhe në vendet e tjera ku do të transmetohet, përfshirë Shqipërinë.

Shikuesit do të kenë mundësinë ta ndjekin Tatlitug në rolin e Kadir, në 3 seritë që do të transmetohen premierë në Tv Klan, çdo të diel duke nisur nga ora 21:00.

Tv Klan ka transmetuar të gjitha serialet në të cilët ka luajtur Kivanç Tatlitug, duke nisur me “Gymysh”, “Menekshe dhe Halil”, “Dashuri e Ndaluar”, “Kuzey Guney”, “Ezel”, “Kurt Sejiti dhe Sura” si dhe “Xhesuri dhe e Bukura”, serial i cili u shfaq për publikun shqiptar vitin e kaluar.

 Çfarë mund të na thoni lidhur me rolin tuaj në serialin “Ironia e Fatit”? Cili është ndryshimi mes këtij roli dhe të tjerëve në karrierën tuaj?

Tek “Ironia e Fatit” luaj rolin e Kadir Adali, i cili drejton Byronë e Krimit të Organizuar. Kadir është një burrë i guximshëm, i cili është rritur në jetimore. Duket sikur “çmendet” lehtë, por përballet me emocione konfliktuale, për shkak të dashurisë së paharrueshme të fëmijërisë dhe traumave të kaluara. Kadir është një oficer shumë i vendosur dhe i dalluar, një njeri i detyrës. Ai arrin të përmbushë suksesshëm dhe me trimëri çdo detyrë që i ngarkohet. Megjithatë, një ditë ai përballet me një kundërshtar të vështirë. Në një konflikt të armatosur, Kadir arreston kriminelët, të cilët vite më vonë hakmerren duke i vrarë gruan dhe vajzën në një sulm me bombë. Pas kësaj, Kadir është i vendosur të gjejë kriminelët që i shkatërruan jetën.

Ka disa ngjashmëri mes karaktereve të cilat kam luajtur në projektet e tjera. Megjithatë, është shumë e rëndësishme për mua që rolet që luaj të jenë të dallueshëm dhe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Mbi këto baza formësoj edhe karrierën time profesionale. Kadir, Kuzey, Kurt Sejit, Halil, Behlul dhe Xhesur…ata janë të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Për shembull, këtë herë tek “Ironia e Fatit” është hera e parë që unë luaj rolin e një babai, apo të një oficeri policie. Ishte një sfidë shumë emocionuese. Jemi stërvitur shumë me armët dhe procedurat policore. Kadir, përfundimisht është një karakter unik për mua.

Si e priti publiku në Turqi këtë serial dhe pse mendoni se do të pëlqehet edhe në vendet e tjera?

“Ironia e fatit” është një serial mbërthyes “dramë” dhe “aksion”, të cilin audienca turke e ka pëlqyer së tepërmi. “Ironia e Fatit” është në thelb një histori universale, kështu që besoj se edhe në vendet e tjera shikuesit do ta vlerësojnë.

Dikush më ka thënë se dëshironit të bëheshit atlet dhe se keni qenë një lojtar profesionist basketbolli, por ju desh ta braktisnit pas një aksidenti. U zhgënjyet?

Sigurisht, fillimisht isha shumë i zhgënjyer. Megjithatë, jeta vazhdon dhe e dija që më duhej të gjeja diçka tjetër në të cilën të fokusohesha. Në kohë dëshpërimi, apo humbje motivimi, njeriu duhet të mësojë të zëvendësojë diçka me një tjetër në mënyrë që ta jetojë jetën në mënyrë të plotë. Pas këputjes në tendinin e Akilit dhe braktisjes së basketbollit, u zhvendosa në modeling dhe aktrim, e tani jam këtu. Megjithatë, më duhet të pranoj se do kisha dashur shumë të isha edhe një lojtar basketbolli.

Cila është skuadra juaj e preferuar e basketbollit në vendin tuaj dhe në botë?

Gjatë kohës që luaja basketboll, Chicago Bulls ishin skuadra ime e preferuar në NBA. Tashmë nuk mbështes ndonjë klub të caktuar, por megjithatë mbetem i interesuar për këtë sport dhe ndjek basketboll profesional sa mundem.

Si ia nisët aktrimit?

Pasi u shpalla “Best Model”, u zhvendosa në Paris dhe jetova atje për pothuajse një vit, para se të vendosja të rikthehesha në Turqi. Në Paris modelova dhe me t’u kthyer në Turqi mu ofrua një prej roleve kryesore në serialin “Gymysh”. Sëbashku me agjenten time Gaye Sokmen dhe me këshilltaren për marrëdhëniet me publikun, Zerrin Ersu, vlerësova ofertën dhe përfundimisht e pranova. Kështu filloi edhe karriera ime në aktrim.

Keni qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë projekti ndërkombëtar? Ndoshta e ndonjë projekti Hollywood-ian?

Ende nuk kam marrë pjesë në një projekt ndërkombëtar. Më është ofruar një rol në filmin “The water Diviner” nga Russell Crowe. Por në atë kohë unë po xhiroja “Kurt Seyit dhe Sura” në Shën Petersburg të Rusisë. Kështu që fatkeqësisht nuk munda ta pranoj.

Si është jeta juaj në Turqi? Si ia bëni të ruani privatësinë?

Nuk bëj ndonjë përpjekje ekstra për ta mbajtur private jetën time. Preferoj të jetoj në natyrë dhe jo në qendër të qyteteve. Nuk më pëlqen trafiku dhe zhurma. Kjo është arsyeja pse preferoj të jetoj në periferi, në natyrë.

Po ashtu ju jeni Ambasador i UNICEF. Cilat janë kauzat që mbroni?

UNICEF është i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve dhe të gjithë botës. Kam qenë Ambasador i UNICEF që prej moshës 25-vjeçare. Të punosh për fëmijët është privilegj. Çdo fëmijë meriton një jetë më të mirë. I ftoj  të gjithë të jenë të ndjeshëm në çështjet e të drejtave të fëmijëve dhe të mbështesin iniciativat e UNICEF. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT