Një nga yjet e serisë dokumentare “Cheer”, të platformës Netflix, Jeremiah “Jerry” Harris, është akuzuar dhe arrestuar për prodhimin e imazheve seksuale të fëmijëve.

Harris, 21-vjeç, dyshohet se ka joshur një djalë të mitur për të prodhuar video dhe fotografi seksuale të tij. Sipas të dhënave të gjykatës, Harris ka kërkuar dhe ka pranuar imazhe me përmbajtje pornografike nga i mituri.

Akuza vjen pas një padie e cila u ngrit këtë javë, në të cilën Harris akuzohet për shfrytëzim seksual të fëmijëve dhe pretendohet për abuzim të dy viktimave të meshkuj.

Zëdhënësi i yllit i ka mohuar të gjitha akuzat, por dokumentet e gjykatës thonë se Harris gjatë një interviste me zyrtarë të zbatimit të ligjit kishte pranuar që ka kërkuar dhe marrë imazhe të qarta nga një prej të miturve dhe “të paktën midis 10 deri në 15 individëve të tjerë që ai e dinte se ishin të mitur”.

Harris u arrestua të enjten në mëngjes dhe më vonë u paraqit në gjykatë në Çikago. Nëse dënohet me akuzën federale të pornografisë së fëmijëve, ai do të përballet me 30 vjet burg.

Harris fitoi popullaritet në seritë Cheer, që ishte një sukses i menjëhershëm në momentin që u  lëshua në Netflix në Janar dhe së fundmi ka fituar dy çmime Emmy.