Aktori shqiptar nga Maqedonia, Luran Ahmeti i cili është bërë i njohur me rolet e tij në serialet turke ka humbur jetën nga Covid-19. Lajmin e hidhur e ka bërë gazetari Rilind Gërvalla përmes një postimi në Facebook.

“Virusi e mori edhe një shok shumë të mirë e patriot. Luran Ahmeti të jemi borxhli”, ka shkruar ai.

Ahmeti i cili ka lënë gjurmë në kinematografinë e teatrit shqiptar kishte krijuar miq të shumtë, ku sot ata kanë shprehur pikëllimin për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta. Ata kanë reaguar përmes rrjeteve sociale ku shprehin se sa të mërzitur janë për humbjen e mikut të tyre dhe i japin ngushëllime familjarëve.

Një ndër to ka qenë Jonida Voksi e cila ka publikuar një foto me aktorin dhe shkruan: Nuk e besoj dot o Luran. Ngushëllime familjes. Zoti ju dhëntë fuqi në këto momente.

Edhe aktori i njohur Blerim Destani ka publikuar një foto me fushë të zezë, ku shkruan: Zoti të shpërbleftë me Xhenet, ngushëllime familjes.

Kujtojmë se Luran Ahmetin së fundmi e kemi parë në serialin “Sulejmani i Madhërishëm” që është kthyer në një ndër serialet më të ndjekur. Numëron rreth 170 episode me rolet e tij në 9 seriale turke, por gjithashtu ai është edhe një aktor i dashur i teatrit të Shkupit.

Ai ka luajtur edhe në serialin “Lugina e Ujqërve” me aktorin e famshëm turk në rol Polat Alemdar (interpretuar nga aktori Necati Şaşmaz). Një tjetër ekperiencë është pjesëmarrja me rolin e një shqiptari në filmin e famshëm “Taken 2” i cili ka patur rolin e një shqiptari që merr urdhrin që të shkojë ta vrasë vajzën e Liam Neesonit (aktorit të famshëm). Është i vetmi shqiptar që ka arritur të ikë dhe nuk e kanë vrarë, se gjithë shqiptarët e tjerë në film i vrasin. /tvklan.al