Ne e njohim më së shumti prej serialit “Çukur” që transmetohet në Klan Plus, por Perihan Savas është një yll i epokës së artë të kinematografisë turke. Aktorja që numëron pjesëmarrjen në mbi 135 filma dhe shumë çmime ndërkombëtare ishte në Tiranë për të qenë pjesë e Javës së Filmit Turk.

Por, përpara shfaqjes së njërit prej filmave më të dashur për fansat e saj, Perihan Savas vizitoi një universitet privat në Tiranë, ku mbajti një lekturë të hapur për të ndarë me studentët përvojën e saj të gjatë në botën e filmit. Gjatë qëndrimit të saj në kryeqytet, aktorja e njohur ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv  Klan.

Me filmat si “Bedrana” apo “Gercek”, në vitet ’70, ajo u kthye në një prej ikonave të kinemasë lindore.

Por, si i kujton ajo prapaskenat e filmave në vitet kur kamerat regjistronin në kaseta?

“Në fillimet e mia në botën kinematografike e kemi pasur mjaft të vështirë për shkak të teknologjisë së asaj kohe. Kushtet kanë qenë të vështira. Kurse tani kemi një teknologji mjaft të zhvilluar, por janë pakësuar xhirimet dhe produksionet e filmave”,

tregon Savas.

Në moshën 5-vjeçare, Perihan Savas luajti rolin e saj të parë në Teatrin e Stambollit. Qe pikërisht në skenën e teatrit ku për rreth 15 vite sprovoi veten si aktore, nga ku u zgjodh për të luajtur disa nga rolet më të njohur të kinematografisë turke të viteve ’70-’80.

Kurse sot, ajo është pjesë e produksioneve gjigande dhe të shpejta në realizim, siç janë serialet.

“Çukur” e shikojmë çdo mbrëmje në ekranin e “Klan Plus” dhe padyshim jemi familjarizuar edhe me personazhin e saj, atë të Sulltanës. Por, si është për të kalimi nga industria e filmit të vjetër, në industrinë moderne të serialit?

“Çukuri” është një serial i veçantë. Kur lexova skenarin e këtij seriali më ka pëlqyer shumë. Roli që kam në këtë serial është i ashpër dhe i sertë. Por mendoj se janë cilësitë e duhura që i nevojiteshin një nëne për të futur në binarë fëmijët e saj. Përpos kësaj, nëse do të flasim për ndryshimin mes filmit dhe serialit, minutazhi i serisë është rreth 120 minuta, po kaq është edhe një film. Këto 120 minuta i xhirojmë për 5-6 ditë, kurse 120 minuta të një filmi i xhirojmë përreth 4 muaj. Pra, lodhja dhe ngarkesa janë të pranishme. Por di të them se seriali është shumë i bukur. Për më tepër, më pëlqen shumë të jem mes aktorëve të rinj”,

tha ajo.

Jo vetëm ndër aktoret më të vlerësuara, Perihan Savas, shënjoi edhe si një prej portreteve më të bukur të kinemasë. Kështu, ajo tregoi për “Jo vetëm modë” truket e bukurisë që përdornin yjet e filmit, në kohën kur ndërhyrjet estetike ende nuk njiheshin kaq shumë.

“Nuk fle asnjëherë me makijazh në fytyrë, por e pastroj atë menjëherë. Ka ndikuar shumë ushqyerja. Gjithashtu i kushtoj rëndësi të veçantë gjumit dhe aktivitetit fizik, më së shumti ecjes, kurse gjatë verës ushtroj notin”,

tha ajo.

Në Tiranë për shfaqjen e filmit “Vdekja e të dashuruarve”, Perihan rrëfen nostalgjinë kur shikon një film të xhiruar thuajse 30 vite më parë.

“Më kujtohet gjithçka. Shumë aktorë që kanë luajtur në këtë film, janë ndarë nga jeta. Kur sheh kolegët e tu në film, të lind një ndjesi e dyfishtë. Gëzohesh, por edhe trishtohesh në të njëjtën kohë. Gëzohesh për bashkëpunimin me ta. Veç kësaj shikon edhe Stambollin e vjetër. Ndjesia më e çuditshme është kur krahason Stambollin e vjetër me Stambollin në ditët e sotme. Pra, të pushton një larmi mendimesh dhe ndjenjash gëzimi dhe trishtimi”,

tha Perihan Savas.

/tvklan.al