Rikthimi i Gentian Zenelajt në një rol dramatik pas shumë viteve në komedi ka shenjuar një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Premiera e dramës “E kuqe” ka qenë emocionuese jo vetëm për aktorët, por edhe për shikuesit e saj.
Veç Saimir Kodrës, një tjetër mik dhe koleg i aktorit, kryeredaktori i lajmeve të Televizionit Klan, Fatos Hakorja ka ndjekur shfaqjen që falenderon Zenelajn për emocionet e dhuruara.
Fatos Hakorja: Kujtoj që teksa po përgatiteshe për këtë dramë më the që ky ishte provimi i jetës në interpretim. Në fakt, unë e përjetova si aktrimin tënd më të realizuar deri tani dhe uroj të të shoh sërish në të tilla interpretime. Përgëzime! Dialogjet mes teje dhe aktorit tjetër, Urim Aliaj ngjanin vërtet me një betejë epike. Unë pashë lot në skenë nga ti. Ti nuk i pe dot të miat dhe besoje dhe të shumë spektatorëve të tjerë që ndoqën premierën e shfaqur në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe a ka përgjigje më të bukur se sa përlotja për pyetjen se “si t’u duk drama dhe interpretimi?” Dua të të përgëzoj edhe njëherë edhe publikisht për emocionet që na dhurove./tvklan.al