Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 55 ton miell me origjinë nga Serbia dhe Kosova që u tentua të futej në tregun shqiptar përmes pikës doganore të Morinës.

Dy kompanitë që kishin porositur mallin kishin të deklaruar në dokumentacion nivel më të lartë të proteinës nga sa ishte në të vërtetë.

Pas analizave të bëra u gjet se për ngarkesën me 30 ton që vinte nga Kosova, niveli i proteinës ishte 11.4%, ndërsa në etiketë ishte shënuar 12.08%.  Ky standard është më i ulët se norma e lejuar për prodhim buke. Për miellin nga Serbia niveli i proteinës ishte edhe më i ulët, 9%.

Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për të kthyer ngarkesat mbrapsht në vendet e origjinës. Vetëm gjatë muajit të fundit AKU ka bllokuar 107 ton miell me nivel proteinik më të ulët nga sa lejohet për të prodhuar bukën. Ngarkesa me miell jashtë standardit janë bllokuar kohët e fundit edhe në pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës.

Disa muaj më parë ky autoritet kallëzoi penalisht dy kompanitë më të mëdha që importojnë miell në Shqipëri, pasi dyshohen për falsifikim të etiketave dhe dëm në shëndetin e konsumatorëve.

Tv Klan