Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nga kontrollet e kryera në pikën Morinë, Hani i Hotit dhe Durrës, AKU ka bllokuar katër ngarkesa produktesh: lëngje frutash, pije energjike dhe kripë.

Nga kontrolli i ushtruar në praktikën e importit të një ngarkesë me 20.4 ton lëngje frutash (importuar nga Serbia nga subjekti ALFA sha, me qëllimin tregtimi në Shqipëri) u konstatua se produkteve i’u kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e jetëgjatësisë, për rrjedhojë nuk plotësonin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore për jetëgjatësinë. AKU ndaloi hyrjen e mallrave në Shqipëri dhe urdhëroi “kthimin në vendin e origjinës” të ngarkesës..

Nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 2.7 ton “Kripë Himalaje” (importuar nga Maqedonia nga subjekti Lindi AL me qëllim tregtimin për konsum human në Shqipëri) u konstatua se produkti kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues (nuk ka raport-analizë të vlefshme për nivelin e jodit si dhe etiketa nuk përcakton saktësisht përmbajtjen e jodit). AKU ndaloi futjen e kësaj ngarkese në territorin e Shqipërisë dhe urdhëroi “kthimin në vendin e origjinës”.

Nga kontrolli i ushtruar në PIK Hani i Hotit në një ngarkesë me 4043 kg pije energjike Red Bull (importohej nga Rumania nga Barcen Distribution shpk), u konstatua se produkti nuk plotësonte kërkesat ligjore të importit (mangësi në dokumentacionin shoqërues). Pas bllokimit të ngarkesës dhe lënies së një afati kohor për plotësimin e mangësive në dokumentacion, në kushtet kur subjekti nuk paraqiti dokumentacionin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e produktit, AKU urdhëroi “kthimin në vendin e origjinës” të produktit.

Nga kontrolli i ushtruar në PIK Durrës në një ngarkesë me 21 ton kripë (importohej nga Gjermania për konsum human në Shqipëri) u konstatua se etiketa e produktit kripë nuk përmbante të dhënat kryesore si: niveli i jodit, data e skadencës dhe e prodhimit. AKU vendosi masën administrative “Bllokim produkti” dhe “Kthim në vendin e origjinës ” të sasisë prej 21 ton kripë./tvklan.al