AKU shkel ligjin për të drejtën e informimit

AKU shkel ligjin për të drejtën e informimit

15:55 26/07/2019

Nuk tregon se si i kontrollon produktet ushqimore

Prej kohësh Tv Klan dhe ZMK kanë ngritur shqetësimin për sigurinë ushqimore në vend të produkteve bujqësore, fruta dhe perimeve. Prej datës 12 Korrik kur ju drejtuam edhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me një shkresë zyrtare nëpërmjet e-mailit për të dhënë përgjigje se çfarë analizash kryhen, çfarë produkte të tjera nuk kryhen analizat për nitratin ashtu si pjepri dhe në çfarë laboratorësh kryhen këto analiza për ti vëzhguar dhe verifikuar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mjaftohet vetëm me faktin duke thënë se reagimin e ka patur në 11 Korrik , një reagim i cili është bërë publik edhe për mediat por që nuk saktëson asnjë informacion rreth pyetjeve që ne i jemi adresuar.

Qytetarët janë të shqetësuar, pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk po u provon në asnjë mënyre se si i kontrollon ushqimet që ata konsumojnë.

Televizioni Klan i ka kërkuar AKU-së të dëshmojë me anë të dokumenteve zyrtare se si kryhet procesi në të cilin kalojnë prodhimet bujqësore dhe produktet e tjera ushqimore përpara se të përfundojnë në tryezat e konsumatorëve. Kërkesa u iniciua pas denoncimeve të shumta që mbërritën edhe në Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit se produktet ushqimore nuk janë të sigurta. Ky Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i ngritur për të garantuar qytetarët se produktet që konsumojnë janë të kontrolluara, nuk pranon të tregojë asnjë dokument të tillë për të qetësuar qytetarët dhe mjaftohet vetëm me një deklarate të bërë 2 javë më parë, në të cilën në fakt pranoi publikisht se tek pjepri, një prej produkteve me nivelin më të lartë të nitratit, as nuk i kryen fare analizat.

“Ne ju kemi kthyer përgjigje, në datën 11 Korrik e kemi hedhur në Facebook dhe web dhe i qëndrojmë atij varianti…’

Në gjendje të vështire janë vënë edhe tregtarët, të cilët janë të parët që përballen me ankesat e konsumatorëve. Ata pranojnë se prodhimet që shesin nuk kalojnë në asnjë proces verifikimi.

Një javë më parë ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi i quajti dëngla shqetësimet e konsumatorëve, tregtarëve dhe importuesve. Por në kohen kur as ministri nuk u fakton dot me prova se ushqimet kontrollohen me anë të një procesi të besueshëm, konsumatorët dhe tregtaret kanë këtë përgjigje për të.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT