Lulzim Basha merret zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me burimin e parave të përdorura për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjedhjet e vitit 2017, nga një kompani me pronarë rusë.

Përmes një fletë- thirrje drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, ish –sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike, Arben Ristanit dhe financierit Ilir Dervishi, prokuroria thotë se do t’i komunikojë zyrtarisht akuzat mëngjesin e datës 17 Qershor.

“Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë, po kryen hetime në funksion të procedimit penal me numër 645 të vitit 2018. Në lidhje me këtë procedim panel janë kryer verifikimet e nevojshëm hetimorë, nga të cilat kanë rezultuar elemente të veprave penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç te Kodit Penal, të kryera nga shtetasti Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.”

Neni 190/3 bën fjalë për falsifikim e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg.

Ndërsa neni 287/ç flet për pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale nëpërmjet kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe dënohet me burgim nga pesë deri në 10 vjet.

Në shkresën që mban firmat e tre prokurorëve të çështjes Gjergji Tako, Ervin Karanxha dhe Kolë Hysenaj theksohet se nëse nuk paraqitet në orën 9.30 minuta në prokurori atëherë do të bëhet shoqërimi i tij i detyrueshëm.  Vendimi i Prokurorisë Tiranës  vjen pas letër-porosive të mbërritura nga Shtetet e Bashkuara. Prokuroria thotë se ka dyshime të bazuara në prova se Partia Demokratike ka diferencë të madhe shifrash mes asaj që ka deklaruar zyrtarisht dhe shpenzimeve të bëra në fushatën e zgjedhjeve të 2017-ës.

Ky subjekt sipas organit të akuzës ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh, para te cilat sipas saj janë paguar nga kompania “Biniata Trade” në llogarinë e kompanisë e Nik Muzin, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike.

Tv Klan