Populisti i djathtë ekstrem, George Simion, ka deklaruar se do të kundërshtojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë.
38-vjeçari që kishte qenë favoriti për të fituar, humbi ndaj kandidatit pro-perëndimor Nicusor Dan në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Simion pretendon se ka prova të forta për ndërhyrje të huaja në votim duke përmendur Francën.
“Dua t’ju njoftoj se, ashtu si Calin Georgescu u përjashtua padrejtësisht nga gara zgjedhore dhe zgjedhjet u anuluan nga një vendim i pajustifikuar i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, i cili nuk bazohej në prova, ne do ta kundërshtojmë zgjedhjen e Nicusor Dan në Gjykatën Kushtetuese për të njëjtat arsye. Tani kemi prova të pakundërshtueshme të ndërhyrjes nga Franca, Moldavia dhe aktorë të tjerë, në një përpjekje të orkestruar për të manipuluar institucionet dhe për të imponuar një rezultat që nuk pasqyron vullnetin sovran të popullit rumun”, tha kandidati i të djathtës ekstreme, George Simion.
Ndër të tjera, ultranacionalisti tha se 100 milionë Euro u shpenzuan në Moldavi për të blerë vota dhe pretendoi se “njerëz të vdekur” votuan në raundin e dytë të së dielës. Ai iu referua pretendimeve të Pavel Durov, themeluesit të aplikacionit të mesazheve Telegram, se qeveria franceze i kërkoi platformës të “heshtë” zërat konservatorë përpara zgjedhjeve presidenciale.
Simion i bëri thirrje gjykatës që ta ftojë Durovin të dëshmojë dhe “të ndajë nga afër atë që di në lidhje me dezinformimin që çuan në ndërhyrjen e zgjedhjeve në Rumani përpara se rezultati të bëhej i ditur.”
Në raundin e parë, Simion një mbështetës i Trump mori 40.96% të votave, duke e çuar atë pothuajse 20 pikë përpara. Por në raundin e dytë, Dan, kryebashkiaku i Bukureshtit, siguroi 54% të votave, ndërsa Simion siguroi 46%.
Klan News