Inter humbi pasi shpenzoi shumë energji dhe mbi te gjitha prej inferioritetit numerik. Kjo është deklarata e Lucciano Spallettit menjëherë pas ndeshjes.

“Jo vetëm kaq por edhe në fund, tek barazimi 2-2 skuadra, ndeshja meritonte një tjetër përfundim.”

 Në qendër të polemikave mbetet arbitri Orsato, por trajneri i bardhezinjve Allegri thotë se ai ishte në lartësinë e duhur.

“Orsato arbitroi shumë mirë. U tregtua shumë i zoti. Si të gjithë edhe mund të ketë gabuar në ndonjë moment, por Orsato është një nga më të mirët që kemi dhe sot ishte në lartësinë e duhur.”

Gjithsesi sipas specialistëve arbitri gaboi në disa episode.

Në radhë të parë ndëshkimi i Vecino me të kuq është i tepruar pasi ndërhyrja e tij ishte e parregullt, por jo e dhunshme për tu ndëshkuar me të kuq. Në minutën e 58, Pianiç duhej të kish marrë të verdhin e dytë për këtë ndërhyrje që duket e vullnetshme për të dëmtuar kundërshtarin, por arbitri i dha të verdhin D’ambrosio për protestë.

Në minutën e 64 arbitri nuk ka akorduar një 11-metërsh në favor të Interit. Barzagli ndërhyn në mënyrë të parregullt ndaj Icardit në zonë, por arbitri Orsato thotë se topi është prekur nga mbrojtësi i Juventus e jo nga sulmuesi i Interit.

 Të vlerësuara si duhet, këto episode mund të kishin ndryshuar rrjedhën e lojës. Por nga ana tjetër në fund të takimit, atëherë kur Juventus e kish përmbysur rezultatin dhe po fitonte, arbitri nuk akordoi një faull në favor të Higuain. Edhe nga pamjet duket qartë se Skriniar ka vrapuar jo në drejtim të topit, por për të mos e lejuar sulmuesin e Juventus të realizonte këtë rast për gol. Sipas specialistëve duhej akorduar goditje dënimi dhe karton i kuq për futbollistin e Inter.

Tv Klan