Në datën 8 Maj ka ndodhur një grabitje e dy të moshuarve në Peqin, ku pretendohet, se është vjedhur një shumë prej 60 mijë eurosh. Mendohet të kenë qenë 5 persona pjesë e grabitjes, të paktën sipas kallëzimit të njërit prej djemve.

Besmir Balla tregon, se e kanë arrestuar në 11 Maj dhe e kanë çuar në komisariatin e Elbasanit. Ai thotë, se vetëm në gjyq e ka marrë vesh se për çfarë akuzohej.

Sipas tij, Erjol Jakupi ka bërë një deklaratë në polici, duke thënë, se ishte me Besmirin dhe 3 personat të tjerë e kanë grabitur bashkë shtëpinë e burrit të hallës. Besmiri dhe i vjehrri i tij dëshmojnë, se kanë qenë duke pirë kafe bashkë, kur ka ndodhur ngjarja.

Besmir Balla: Unë jam Besmir Balla nga Peqini. Më kanë akuzuar për një grabitje këtu në Peqin. Me datë 8 Maj akuzohem se kam bërë një grabitje. Më kanë arrestuar me datë 11 Maj. Më kanë çuar direkt në Elbasan. As nuk më kanë thënë gjë fare në komisariat për çfarë akuzohem e asnjë lloj gjëje, por më kanë futur direkt në birucë. E kam marrë vesh për çfarë akuzohem në gjyqin paraprak, pas tre ditësh. Erjol Jakupi ka bërë një deklaratë në polici, sikur ka qenë me mua dhe me tre persona të tjerë kemi bërë një grabitje. Grabitjen e burrit të hallës së tij. Na kanë degjeneruar fare, s’po marr vesh fare çfarë po bëhet. Jam në arrest shtëpie pa lidhje fare. Pa bërë gjë fare, më kanë fëlliq fare. Jam me dy kalamaj. Jam me nusen, me familjen, dua të dalë drejtësia. Ka qenë një plak Skënder Zeqiri, i kanë marrë 60 mijë euro në shtëpi. Unë kam qenë duke pirë kafe me vjehrrin tim atë ditë. Të akuzuarit e tjerë i njoh vetëm si fytyra, si persona i njoh se janë nga Peqini, por nuk kam ligje me ata.

Gazetarja: Besmiri, një nga të dyshuarit kryesorë që aktualisht është në arrest shtëpie, pretendon se ditën që ka ndodhur ngjarja me 8 Maj ka qenë me ju, vjehrrin e tij, duke pirë kafe. Si është e vërteta?

Vjehrri: Unë kam një market afër kafes dhe çdo ditë pimë kafen. Edhe atë ditë ka qenë me mua. E deklaroj me përgjegjësinë time që ka qenë aty. Atë ditë para se me arrestu Besmirin kanë ardhur njerëz dhe më kanë kërkuar 25 mijë euro që ta mbyllim këtë muhabet këtu. Biles unë ngela i habitur. Unë persona nuk nxjerr, ju zbuloni vetë. Bëni si të doni, por këtu ka lidhje edhe policia, shefi i krimeve të Peqinit, që nuk ia di emrin.

Gazetarja: Për ngjarjen e 8 Majit 2019 në Peqin sipas të dëmtuarit Skënder Zeqiri, të dyshuarit kryesorë për vjedhjen e 60 mijë eurove janë të dyshuar edhe çifti, në shtëpinë e të cilëve unë ndodhem sot. Esmeralda, çfarë ka ndodhur?

Esmeralda: Aktualisht unë isha në punë. Në datën 10 Maj, erdhën më morën këtu në shtëpi për një verifikim. Kontrolluan shtëpinë dhe nuk gjetën asgjë. Nga atje kemi shkuar në Durrës, prapë verifikim. Na morën emrat e familjarëve. Nga Durrësi shkuam në Elbasan, aty na bënë shumë presione rrugës. Pastaj na futën në birucë. Na mbajtën 2 ditë, dhe na dënuan kotsëkoti me 30 ditë. Mua aktualisht ma kanë lënë me detyrim paraqitjeje.

Gazetarja: Përse ishit ju ndër të dyshuarit kryesorë? Kishit njohje me të dëmtuarin?

Esmeralda: Jo nuk e njihja fare.

Gazetarja: Ndër të tjera, ndër të dyshuarit kryesorë jeni edhe ju. Çfarë ka ndodhur realisht?

Bashkëjetuesi i Esmeraldës: Po, unë jam i akuzuari i drejtpërdrejtë për ngjarjen, as nuk kam qenë në dijeni, por kam dalë të takoj prindërit e mi. Dhe kur shoh pastaj më është hedhur policia e Peqinit dhe më ka pyetur direkt për Esmeraldën, ku është? I kam thënë në shtëpi. Kërkova informacion për çfarë bëhej fjalë por më thanë se do ta marrësh vesh rrugës. Kemi ndenj dy ditë në birucë në Elbasan. Kemi dalë në gjyq, dhe aty pastaj kam mësuar të vërtetën që ishte ngritur një alibi e Erjol Jakupit dhe kishte thënë se ishte i bindur që na kishte parë. Kjo nuk është e vërtetë dhe unë se pranoj, sepse unë kam qenë në punë, me fakte dhe me të gjitha. Kjo alibi ngrihet sepse para disa kohësh ai ka pasur një lidhje intime me vajzën që unë bashkëjetoj. Dhe kjo është bërë çështje hakmarrjeje komplet. Aktualisht gjykata më ka lënë në arrest shtëpie.

Gazetarja: Përpos dyshimeve, ti ke deri diku edhe fakte bindëse që ke hyrje-daljet në port, aty ku punon. Data, 5,6, 7, 8 e ke dorëzuar në momentin kur ka noddhur ngjarja, 9, 10 Maj. Etj.

Bashkëjetuesi i Esmeraldës: Këto janë të skanuara. Janë komplet në skaner. Biles unë u kam kërkuar të marrin edhe kamerat e portit, kanë marrë kamerat e doganës, që lokali im ndodhet shumë larg nga dogana dhe këto të hyrjes nuk i kanë marrë akoma. Nuk e di pse nuk i kanë marrë dhe siç e shihni edhe vetë unë jam në arrest shtëpie, unë jam hallexhi si gjithë të tjerët. Vazhdoja një punë në Durrës, për të mos ndenj në Peqin se vend i vogël, janë këto llafet ca nuk ndodh dhe erdha punoja këtu. Nuk di si ta lidh gjithë këtë histori, nga një herë më bën çudi shumë me veten. Ta kisha bërë, e deklaroja edhe këtu. Do kërkoja direkt dënim me varje.

Gjithçka mësohet të jetë sajuar nga Erjol Jakupi, ndërsa ky i fundit shprehet se është keqtrajtuar nga djemtë e hallës dhe është detyruar të bëjë dëshmi të rreme.

Gazetarja: Lidhur me ngjarjen e datës 8 Maj 2019, ku në qytetin e Peqinit u vodh shtëpia e zotit Skënder Zeqiri, u arrestuan 4 persona, nëpërmjet deklaratës së djalit 17-vjeçar Erjolit, i cili kishte lidhje familjare me të dëmtuarin. Por në fakt, unë kam udhëtuar për në Golem, për të takuar vetë Erjolin, i cili edhe pse ishte pjesë e kësaj vjedhjeje, nuk u bëri asnjë ditë burg, edhe pse 4 persona të dyshuar bënë më shumë se 30 ditë. Erjoli, bën deklaratën se i ndodhur në kushtet e presionit dhe pengmarrjes, ishte i detyruar të bënte edhe kallëzim të rremë.

Erjol Jakupi: Besmiri dhe çunat që kanë rënë brenda kanë rënë kot, pa pikë lidhjeje. Kot pa lidhje, sepse ne kemi qenë në punë. Në momentin që vijnë çunat e hallës dhe më marrin këtu në plazh, më morën me fjalë të mira, sa më çojnë në Peqin, unë se dija. Por unë i shkova, për çfarë më akuzonin, për grabitje, kot pa lidhje. Aq më tepër që unë i kisha njerëzit e mi, çuna halle. Shkoj atje, mbyllin derën me çelës dhe aty fillojnë e më godasin pastaj e më rrahin. Edhe më detyruan që të tregoj emrin e Besit, Besi është i pafajshëm. Edhe atë 1 muaj burg, 30 ditë burg që ka bërë i ka bërë kot pa lidhje.

Gazetarja: Grabitja që ka ndodhur ka ndodhur në shtëpinë e hallës tënde. Në dokumentet e prokurorisë thuhet që keni marrë një golf 6, keni qenë në sediljen e pasme, Besmiri bashkë me të tjerët kanë hyrë në shtëpi.

Erjol Jakupi: Janë të gjitha fjalë, justifikime, fjalë koti që i kanë shtuar. Se unë kam qenë tek pullë vetëm dhe kanë shkruar ça ju ka dashur qejfi atyre.

Gazetarja: Përse e bëtë atë deklaratë, që u kushtoi 30 ditë burg Besmirit dhe të tjerëve?

Erjol Jakupi: Pse e bëra? Sepse më detyruan. Më rrahën dhe qeshë në gjendje shumë të keqe. Më ra 2-3 herë të fikët.

Gazetarja: Kush të rrahu?

Erjol Jakupi: Çunat e hallës. Edhe për këtë gjë unë kam prova.

Gazetarja: Çfarë të thanë?

Erjol Jakupi: Më detyruan që të tregoja për emrat e Besit, sepse burri i hallës, dyshonte tek Besi, kot pa lidhje. Nuk e di se çfarë planesh kanë bërë e çfarë planesh nuk kanë bërë, por me na e fut kot ne pa lidhje.

Gazetarja: Sa veta të kanë goditur?

Erjol Jakupi: Kanë qenë çunat e hallës, Joni, Rimi, Lori, Lili.

Gazetarja: 4 veta të kanë rrahur për të trilluar një ngjarje?

Erjol Jakupi: Po. 4 veta.

Gazetarja: Je penduar për këtë gjë?

Erjol Jakupi: Po, normale sepse unë me Besin jemi çuna lagjeje, këto gjëra unë si kam përjetuar ndonjëherë. Këto janë gjëra që unë për herë të parë në jetën time po i përjetoj. Janë të pafajshëm, janë të pafajshëm të gjithë. Kanë bërë burg kot, se u ka dashur qejfi këtyre.

Gazetarja: Përse të gjetën ty për të bërë një kallëzim të rremë kundrejt Besmirit dhe autorëve të tjerë.

Erjol Jakupi: Se di, ndoshta nuk kanë pasur fytyrë për tu përballur me të tjerët. Unë jam tek pullë. Të dy pleqtë mua më kanë vdekur para tre vjetësh. Mua më kanë lënë të dy prindërit.

Gazetarja: Po në prokurori ke deponuar ndonjëherë?

Erjol Jakupi: Jo.

Gazetarja: Ti thua që pasi çunat e hallës të morën në vendin e punës, të dhunuan dhe më pas të çuan në komisariat për të bërë kallëzimin ndaj këtyre personave. Çfarë deponove në polici?

Erjol Jakupi: Dhashë deklaratën me shkrim tek shtëpia, pas disa ditësh dhashë deklaratën ke dega e Elbasanit.

Gazetarja: Çfarë deklarove atje?

Erjol Jakupi: Deklarova çfarë më thanë ata se më detyruan. Do thuash këtë-këtë, edhe unë isha i detyruar ta bëja. Hodha firmë.

Gazetarja: E lexove?

Erjol Jakupi: Jo, fare. Asgjë nuk kam lexuar. /tvklan.al