PZAP: Do të rinumërohen votat e AAK

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidates së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Florentina Gjergjaj për rinumërimin e votave, e cila pretendon se votat e saj i janë bartur një kandidateje tjetër të kësaj partie.

PZAP ka vendosur që të rinumërohen votat me kusht dhe ato të diasporës për kandidatët e AAK-së. Lidhur me këtë ditë më parë mediat në Kosovë kanë publikuar video-incizime ku pretendohet se burri i kryediplomates kosovare Meliza Haradinaj është i përfshirë në këtë skandal duke paguar komisionerët për t’i hedhur më shumë vota gruas së tij.

Haradinaj Stublla i ka mohuar akuzat. Lidhur me këtë ka reaguar edhe vetë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj duke thënë se manipuluesit kushdo qofshin u uron dënime meritore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar që rinumërimi i votave të AAK-së të bëhet në prani te hetuesve.

PZAP-ja gjithashtu ka anuluar votat e partive boshnjake në komunat serbe. Disa parti boshnjake kishin marrë vota nga komunat me shumicë serbe për çka kandidatet tjera boshnjake për deputete Duda Balje dhe Emilia Rexhepi ishin ankuar se kjo është bërë në bashkëpunim me Listën Serbe në mënyrë që këta deputet boshnjakë të ndikohen nga Beogradi. PZAP-ja ndaj këtyre partive ka anuluar gjithsej 4976 vota.

Tv Klan