‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘falsifikim dokumentesh’

7 kandidatë që janë skualifkuar nga gara për tu bërë pjesë e byrosë kombëtar të hetimit kanë kallëzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘falsifikim dokumentesh’ anëtarët e komisionit përzgjedhës.

Kallëzimi është depozituar mëngjesin e së martës në prokurorinë e Tiranës ndaj 3 prokurorëve të SPAK, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkeleda Millonai në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit pasi kanë skualifikuar nga testi fizik këta kandidatë.

Gjithashtu kallëzim është bërë edhe për drejtuesin e SPAK, Arben Kraja dhe kreun e BKH, Aida Hajna, pasi i akuzojnë për manipulim të procesit. Të larguarit nga gara pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë sqarim nga komisioni dhe drejtuesi i SPAK, të cilët e kanë kaluar përgjegjësinë tek monitoruesit ndërkombëtarë.

Një ditë më parë, një tjetër kandidat i skualifikuar ka paditur në gjykatën administrative procesin duke përkuar pezullimin e tij me argumentin se ka patur mungesë të transparencës dhe gara ka qenë e paracaktuar.

 Ndërkohë 103 kandidatët e BKH që kaluan dy fazat e para, përfunduan testin e esesë dhe tashmë janë në pritje për të kaluar në fazat përmbyllëse ku do të zgjidhen në fund 60 oficerë.

Tv Klan