Kryeministri Edi Rama është shprehur i revoltuar me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) përse nuk reagoi në kohë dhe përse nuk publikoi pamjet e kamerave të sigurisë së komisariatit në Krujë, kur u bënë publike akuzat e ish-oficerit Emiljano Nuhu.

Gjatë një takimi me drejtues të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Kryeministri e konsideroi shpifës ish-oficerin e policisë Emiljano Nuhu, për të cilin tha se akuzat e tij janë “sajesa që përpëlitën Shqipërinë në vorbullën e një fantazie”.

“Sot djali i deputetit është aty ku e ka çuar drejtësia, jo aty ku dje do ta kishte lënë partia. Ku ishte drejtori i SHÇBA kur shpifësi me uniformë e solli me shkrim shpifjen e tij? Pse nuk u veprua menjëherë për të bërë kontrollin e plotë kur letra u bë publike? Pse iu la një shpifësie tërë koha që të krijonte një vorbull pasi kishte hedhur shpifjen në kazanin e duhur dhe ia kishte mbathur.

Kujt ia kishte borxh kjo trupë njerëzish, mosreagimin me kohë dhe me qartësi të SHÇBA ndaj agresionit që iu bë Policisë së Shtetit. Pse iu mohua publikut shqiptar e drejta për të parë të vërtetën në kamerat e komisariatit. Lidhur me të gjithë skenën e fantazuar, në pamjet e kamerave del qartë se e gjithë skena është një sajesë e tij fund e krye.

Fakti është që kamerat iu dërguan Prokurorisë, po nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori Policia e Shtetit. U la gjithë Shqipëria të përpëlitej në vorbullën e një fantazie, me deputetë të armatosur që futen në komisariat. E vërteta në krahun e Policisë së Shtetit, dhe Policia e Shtetit që rri dhe pret të reagojë. Po unë s’mund ta pranoj dot që një jashtënxjerrje kaq e fëlliqur mbi policinë të marrë dhenë, nuk u jepet publikut po thjesht çohet në Prokurori”,

tha Rama.

Ish-oficeri Emiljano Nuhu, i cili aktualisht ka kërkuar azil në një vend të BE-së, deklaroi në një intervistë se në Komisariatin e Krujës u kërcënua me armë nga vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja, ku i pranishëm ishte ky i fundit së bashku me deputetin Taulant Balla dhe kryebashkiakun e Krujës.

Kryeministri foli edhe për akuzat që iu bënë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili u përmend në videon-regjistrimin e Fredi Alizotit, i cili tha se ishte Ardi Veliu që mori me makinën e tij për ta shoqëruar në Prokurori.  Duke folur për këtë çështje, Rama i bëri apel drejtorit të përgjithshëm dhe zyrtarëve të tjerë të policisë që të mos bëjnë “reagime emocionale” ndaj atyre që Kryeministri i quan shpifje, por t’i çojnë deklarata të tilla në proces gjyqësor. 

/tvklan.al