Një ditë pasi, Partia Demokratike ka akuzuar kreun e bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj se ka ushtruar dhunë ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni, ka reaguar Bashkia e Pukës.

Deklarata:

Bashkia Pukë nisur nga një deklaratë e Partisë Demokratike, ku pretendohet për dhunim të kryetarit të grupseksionit të saj në qytetin e Pukës, dhunim dhe bastisje të pronës së tij, sqaron opinionin publik:

Bashkia Pukë dhe as kreu i saj, z. Gjon Gjonaj nuk ka dhunuar z.Demir Hyseni, pasi nuk ka pasur asnjë kontakt më të. Operacioni për lirimin e hapësirave publike po drejtohet në terren nga nënkryetari i bashkisë, z. Astrit Kuçi. Bashkia është detyruar të ndërmarr këtë operacion përmes Policisë bashkiake, pasi kishte njoftuar disa herë pronarin e subjektit privat, z. Demir Hyseni për lirim të hapësirave publike.  Aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre në shërbim të qytetarëve po shtrihet në të gjithë qytetin e Pukës. Pretendimet e justifikimet për goditje politike janë veçse shpifje që kanë për qëllim të pengojnë bashkinë Pukë. Nëse dikush kërkon të përfitoj politikisht, duke u nisur nga fushata elektorale dhe nën petkun e pozicionimeve politike, ne nuk kemi kohë që të lëmë qytetin peng të individëve të caktuar që e konsiderojnë veten të paprekshëm për shkak të Politikës. Në Pukë përpara ligjit do të jemi të gjithë të barabartë, ndaj duke hedhur poshtë shpifjet e Partisë Demokratike i bëjmë apel të gjithë subjekteve që janë njoftuar për lirimin e hapësirave publike, të veprojnë menjëherë, pasi Policia bashkiake do të ndërhy për lirimin e hapësirave përpara lokaleve.

Puka nuk mund të jetë më peng i individëve të caktuar që pasi e kane vjelur mirë, tani kërkojnë dhe uzurpimin e hapësirave në shërbim të qytetarëve./

tvklan.al