Afera e inceneratorëve është e tema më e komentuar në politikën shqiptare. Për këtë temë është pyetur ambasadorja Yuri Kim në një intervistë ekskluzive të dhënë për emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Ambasadorja shprehet se ka pritshmëri që SPAK po bën pjesën e vetë dhe shton se është detyrë e kësaj prokurorie që të shikojë prova dhe të vijojë me procesin më tej.

Blendi Fevziu: Por po flasim në përgjithësi sepse kemi edhe një rast konkret, për shembull. Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës ka dërguar dy dosje për çështjen e inceneratorëve. Kanë ngritur padi kundër Ramës, Ministrit Ahmetaj, Ministrit Gjiknuri, dhe disa të tjerë. Është hera e parëqë SPAK ka dokumente, nuk e di cilësinë e dokumenteve, SPAK do t’i verifikojë, kundër peshqve të mëdhenj në vend. A mendoni që SPAK do të reagojë sa më shpejt që të jetë e mundur në këtë rast?

Ambasadorja Kim: Kam të gjitha pritshmëritë se SPAK do bëjë pjesën e vet. Pretendimet janë ngritur, provat janë paraqitur dhe tani është detyra e SPAK që të shohë provat dhe të vazhdojë procesin më tej.

Blendi Fevziu: A keni dëgjuar për këtë – mendoj që po se të gjithë në media po shkruajnë për të – për çështjen e inceneratorëve? A keni ide për këtë?

Ambasadorja Kim: Siç e thashë më parë, mendoj se pretendimet tashmë janë ngritur, provat janë dërguar në SPAK dhe tani është në dorën e SPAK. Nuk mendoj se është me vend që të komentoj unë.

Blendi Fevziu: Ambasadore, një nga kushtet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë në BE është problemi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Pse është kusht për ne kur Gjykata Kushtetuese është nën mbikëqyrjen dhe ndihmën apo drejtimin e komunitetit ndërkombëtar?

Ambasadorja Kim: Mendoj se duhet të pyesni BE-në për pozicionin e tyre por ajo që do them është se Gjykata Kushtetuese është absolutisht e nevojshme. Është pjesë thelbësore e reformës në drejtësi. Ka qenë e ngecur për një kohë shumë të gjatë, përparimi ka qenë i vështirë. Por shihni ç’ka ndodhur në javët e fundit. Në javët e fundit…

Blendi Fevziu: Po lëviz, po…

Ambasadorja Kim: …si presidenti, si parlamenti kanë botuar listën e kandidatëve. Këta kandidatë tani po vlerësohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe pasi të ketë përfunduar kjo, kam të gjitha pritshmëritë që do të kemi një Gjykatë Kushtetuese deri në fund të vitit. Dhe e them këtë sepse siç thatë edhe ju, katër vjet e katër muaj janë një kohë shumë e gjatë. Është koha për të ecur përpara, për të prodhuar rezultate.

Blendi Fevziu: Dhe kur mendoni se reforma në drejtësi do të mbarojë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se kjo do të jetë një proces i vazhdueshëm. Në asnjë vend nuk ka…

Blendi Fevziu: Çfarë doni të thoni me proces i vazhdueshëm, një proces i gjatë?

Ambasadorja Kim: Ajo që dua të them është se Reforma në Drejtësi, ashtu si vetë demokracia, është një projekt që kërkon vigjilencë, vëmendje, angazhim të përhershëm; nuk është diçka që ndodh automatikisht. Nuk është diçka sikur zgjohesh një mëngjes dhe thua: mbaruam. Nuk funksionon ashtu. Gjithsesi, mendoj se do të vijë një moment kur shumica e shqiptarëve do të jenë dakord se kanë një sistem gjyqësor që është transparent, që është i ndershëm dhe funksionon sipas sundimit të ligjit dhe atëherë do mund të themi ‘fituam.’/tvklan.al