Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike për të kaluarën e tij si emigrant në Greqi në vitin 1999.

I pyetur nga gazetarët, Ismailaj u shpreh se nuk është në dijeni të kërkesës që PD ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme për verifikimin e pastërtisë së figurës së tij.

Megjithatë, ai mohon që të jetë ndaluar nga autoritetet greke dhe shprehet i hapur për çdo verifikim ndaj tij.

Nuk kam asnjë lloj dijeni. Jam i hapur për çdo lloj verifikimi të mundshëm. Nuk jam ndaluar në asnjë rast. Unë kam motrën në Greqi”, tha ai.

Kujtojmë se Partia Demokratike dorëzoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën për verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Mallakastrës, me pretendimin se ka dyshime të arsyeshme që Qerim Ismailaj ka qenë i ndaluar në Greqi në periudhën 1999-2000 dhe më pas u dënua e u dëbua nga shteti grek.

/tvklan.al