Akuzat e Ramës, Meta: Nuk merrem me inskenime, unë e çoj fjalën deri në fund



Akuzat e Ramës, Meta: Nuk merrem me inskenime, unë e çoj fjalën deri në fund

17:57 16/12/2020

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Presidentin Ilir Meta për protestat e zhvilluara në kryeqytet pas vrasjes së Klodian Rashës. Kreu i shtetit gjatë konferencës me Presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk është tinëzar dhe aq më pak palaço.

Ai u shpreh se nuk merret me inskenime dhe maskarada, ndërsa teksa kujtoi manifestimin e Marsit tha se i radhës do të jetë i fundit për këtë regjim. Meta tha se nuk ka reaguar këto ditë pasi e ka pasur vëmendjen tek buxheti i shtetit, që sipas tij është katastrofik.

“Kemi presidenten këtu dhe nuk do doja ta përfshinim estetikisht në këto çështje. Qytetarët e Shqipërisë e dinë shumë mirë që nuk kanë në krye të shtetit një president tinëzar dhe as palaço. Kanë një president që kur e thotë një fjalë e çon deri në fund, ka bërë një manifestim aty me mimoza, model, i ka bërë vetëm një thirrje popullit dhe populli ka qenë aty. Nuk merret me inskenime dhe maskarada të tilla. Ndaj dhe gjej rastin ta përshëndes dhe solidarizohem me të gjitha institucionet ndërkombëtare të mediave, me federatën e gazetarëve që dënojnë dhunën ndaj jush, ndaj gazetarëve dhe bëj thirrje të hiqet dorë nga intimidimet ndaj mediave. Solidarizohem me UNICEF-in që shprehu shqetësim për dhunën ndaj të miturve që e kemi vënë re përmes shumë pamjeve flagrante. Në këtë drejtim të jeni të sigurt që nëse do të ketë një manifestim tjetër nga presidenti, do të ketë dhe një, por vetëm një dhe do të jetë publik dhe do të jetë manifestimi i fundit kundër dhunës për t’i dhënë fund një regjimi të dhunshëm ndaj të drejtave të shqiptarëve. Nuk kam dashur të merrem me këtë çështje këto ditë sepse kam pasur vëmendjen tek buxheti i shtetit për t’i dhënë mundësi mazhorancës që të reflektojë buxhetin sepse është katastrofik për të përballuar në mënyrë të përgjegjshme pandeminë, bizneset dhe sipërmarrjen”.

Kreu i shtetit u shpreh gjithashtu edhe për kandidaturën që kryeministri Rama ka dhënë për drejtimin e ministrisë së Brendshme, Bledi Çuçi. Meta tha se nuk është njohur zyrtarisht, por sapo të marrë dokumentet zyrtare përgjigja do të jetë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Nuk do të dëshiroja të përgjigjesha për tema të brendshme. Jam njohur nga mediat me disa propozime, por si President do të më duhet të njihem me propozimet zyrtare dhe përgjigja do të jetë më e shpejta e mundshme sa i takon kohës”, tha Meta. /tvklan.al






Të ngjashme