Kryeministri Edi Rama lexoi përpara gazetarëve ditën e sotme raportin përfundimtar të prokurorisë italiane për përgjimet ndaj mafias Ndragheta, ku u evidentua që në Shqipëri ishte hapur vetëm një dyqan rrobash.

Akuzat e bëra në media gjatë këtyre ditëve ku janë përmendur edhe politikanë, Kryeministri Rama i konsideron shpifje dhe të pabazuara.

E në këtë aspekt, Rama thotë se kjo është një nga arsyet përse qytetarët duan të largohen nga Shqipëria për faktin se ky vend është i pajetueshëm në një klimë të tillë.

Kryeministri Edi Rama: “Përderisa prokuroria italiane ka dhënë këtë konkluzion dhe thotë qartësisht ato që ju lexova 3 herë, ku hyn tani këtu spekulimi “ky ai”. Sigurisht që nga ky hetim rezulton që një deputet i cili është lidhja e tyre, atje ka marrë goditje, ai deputet dihet botërisht që është mik i Lulzim Bashës dhe i Partisë Demokratike. Dhe lidhjet e këtyre njerëzve janë lidhje me të djathtën. Po pastaj? Çfarë duhet të them unë? Duhet të them që Lulzim Basha priste këtë deputetin që e çonin mafiozët dhe i jepte fjalën që do të ndihmonte mafiozët? S’e them dot kurrë! Sepse e dua Shqipërinë më shumë se ju, sepse kam shumë më tepër kujdes edhe kur flas për kundërshtarët e mi, që çfarë i takon Çazarit të shkojë te Çezari, por çfarë i takon Zotit të jetë e Zotit!

Dhe Zoti është Shqipëria. Është ky vend që një nga arsyet pse shumëkush do të iki, është se është i pajetueshëm. Në këtë zallamahi, në këtë poshtërsi balte, shpifjesh, akuzash dhe kundërakuzash. Nuk ja bën njeri vendit të vetë këtë që i bëjnë Shqipërisë ata që kanë një mikrofon përpara. Që për t’i nxerrë sytë njëri-tjetrit janë gati ta shkelin Shqipërinë me këmbë orë e çast, duke i përhapur kudo një nam të pamerituar.

A ka pastrim parash në Shqipëri? Patjetër, nuk diskutohet fare! Kush thotë të kundërtën ja fut kot.

Mos se e bëtë Shqipërinë kazanin tuaj që rrotulloni përditë dokra. Unë të them ja ujku, ti më tregon gjurmët. Ja burimi që keni ditë për të cilin keni torolisur këtë milet. Për çfarë? Për qëllime politike! Dhe për lidhjet me politikën. Si mund të bëhet politikë duke i bërë vendit nënë? Si? Çfarë fitohet këtu? Kush fiton këtu?

Ç’e do atë fitore që bëre 5 veta më shumë të neveritur që të thonë ‘ik mo se s’bëhet ky vend’. Ju jeni ata që keni gjithë ditën e Perëndisë të hyni nëpër detaje”.   /tvklan.al