Numri i viktimave të regjistruara nga Covid-19 nuk përputhem me shifrën e bërë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas të dhënave të autoriteteve, nga Marsi deri në fund të muajit Tetor, kanë humbur jetën 509 persona. Por nga listat e viktimave në morg, të bëra publike nga kreu i opozitës, numri rezulton të jetë 923.

Diferenca mes dy raportimeve, vihet re që në muajin e parë të pandemisë. Në Mars, Ministria e Shëndetësisë njoftoi zyrtarisht për 15 viktima, ndërsa nga listat e morgut rezultojnë 18 humbje jete.

Në muajin Prill, Ministria e Shëndëtësisë për datën 4 Prill ka raportuar për humbjen e jetës vetëm të një 84-vjeçareje me inicialet S.D., por në atë datë rezulton edhe një viktimë tjetër. Po ashtu, edhe më 5 Prill, kur u raportua ndarja nga jeta e peshëngritësit Skënder Kurti, veç tij rezulton se ka ndërruar jetë një tjetër person.

Diferenca e numrit të viktimave është edhe në Maj kur zyrtarisht janë deklaruar vetëm 2 viktima, por në morg janë 6.

Edhe në muajt Qershor dhe Korrik, numri i viktimave të raportuara është më i vogël por në listat me emrat e personave të shënuar si viktima të Covid-19 në morg, shifra është 44 viktima më tepër për këto dy muaj.

Diferencë të madhe ka edhe muaji Gusht, pasi nga listat rezulton se numri i personave që kanë humbur jetën për këtë muaj është 270, dhe jo 127, siç ka raportuar Ministria e Shëndetësisë, pra 143 vdekje të pa raportuara.

Për Gushtin ka dhe një mosrakordim edhe me ditën e raportimit të vdekur të mjekut Anybal Byberi, pasi në listat e morgut është shënuar më 2 Gusht, ndërsa Ministria e ka raportuar më 3 Gusht. Por edhe në këtë datë numri i viktimave është më i lartë, pasi janë 9 viktima në listat që Klan Plus disponon dhe jo 6. Edhe data 4 Gusht, ka zyrtarisht vetëm 4 viktima ndërsa në listat e morgut rezultojnë 12 viktima nga Covid-19.

Më 1 Shtator zyrtarisht është raportuar për 6 viktima por në listat e morgut rezultojnë 11. Por diferencat më të mëdha i ka muaji Tetor, kur pandemia hyri në valën e dytë. Në listat e morgut për muajin Tetor rezultojnë se janë 158 persona më shumë se sa janë raportuar. Nga 122 viktima të bëra publike në listat e viktimave janë në total 280 persona.

Më 27 Tetor janë raportuar për 7 humbje jete por në këtë datë janë regjisitruar 19 viktima në morg. Edhe më 29 Tetor janë raportuar 6 viktima por në morg është regjistruar dyfishi. Ministria e Shëndetësia në datë 30 Tetor ka raportuar për 3 humbje jete, ndërsa në morg rezultojnë 19 viktima. Më 31 Tetor janë raportuar 7 viktima por në morg rezultojnë 19 viktima. Këtu nuk përfshihen ata që humbin jetën në spitalet e huaja apo në kushtet e shtëpisë.

Nga mjekët në Sanatorium, numri i viktimave prej muajit Gusht, nuk përputhet me deklaratën ditore të Ministrisë së Shëndetësisë. Mjekët kanë thënë se ky mosrakordim ndodh pasi nuk raportohen personat që kanë humbur jetën por janë me tampon negativ.

Shifrat e viktimave nga Covid-19 janë më të larta, pasi numri i personave që kanë ikur të kurohen jashtë vendin por kanë ndërruar jetë, nuk raportohen. Po ashtu deri më tani nga autoritetet nuk është raportuar për asnjë rast që ka ndërruar jetë në banesë. Në shifrat që publikohen nga Ministria e Shëndetësisë përfshihen vetëm ata që vdesin në spitalet Covid.

Një tjetër e dhënë që ngre hije dyshimi janë edhe shifrat e INSTAT për tre-mujorin e tretë të këtij vitit. Për muajt Korrik, Gusht dhe Shtator, numri i viktimave është 6.294, duke shënuar një rritje prej 25,7%,krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Ose thënë ndryshe, 1288 viktima më tepër në këto tre muaj në krahasim me tremujorin e 2019.

Tv Klan