“Në mafien e plehrave të përfshirë Rama-Veliaj-Ahmetaj-Ndragheta dhe banda e Lushnjes”

Partia Demokratike ka vijuar me akuzat për inceneratorët edhe këtë të shtunë. Kreu i FRPD Belind Këlliçi dhe zëdhënësja e selisë blu, Ina Zhupa, kanë denoncuar nga landfilli i Sharrës Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.

Ata akuzojnë se përmes skemave mafioze, Rama dhe Veliaj transferojnë në parajsat fiskale 11 milionë Euro çdo vit. Sipas eksponentëve të Partisë Demokratike, në landfillin e Sharrës faturohen 650 ton mbetje urbane çdo ditë, që siç u shprehën Këlliçi-Zhupa, është konsum më i madh se në Francë apo në Gjermani.

Partia Demokratike thotë se në këtë skemë janë të përfshirë edhe Arben Ahmetaj, elementë të mafies italiane Ndragheta dhe të bandës së Lushnjes.

“Por sot kemi ardhur këtu për t’ju shpjeguar një skemë tërësisht kriminale. Skemën e mafies së plehrave, e cila është e ngritur nga Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, element të “Ndraghetës” dhe bandës së Lushnjës, dhe lidhet drejtepërdrejtë me grumbullimin, transportin e plehrave, landfillin e Sharrës dhe inceneratorin e Tiranës.

Përmes kësaj skeme kriminale, Rama-Veliaj, transferojnë përmes sekserëve të tyre çdo vit plot 11 milionë Euro në parajsat fiskale. Çdo ditë në këtë landfill, në mënyrë të pakontrolluar, pa verifikime, me mungesë të plotë transparence, faturohen plotë 650 ton mbetje urbane ditore. Edhe një herë, çdo ditë këtu faturohen 650 ton mbetje, duke i kthyer kështu kryeqytetasit, qytetarët e Tiranës, në konsumatorët më të mëdhenj se qytetarët francez apo qytetarët gjerman. Nga kjo skemë mafioze, Rama-Veliaj përmes Mërtirit, marrin 25 milionë Euro për ton mbetje urbane të faturuara pa TVSH. Dhe sot që ne flasim, Rama-Veliaj përmes kësaj skeme maijoze, kanë monopolin e plotë të dherave, të mbetjeve inerte, të mbetjeve industriale dhe të materialeve ricikluese. Skema mafioze e plehrave e menaxhuar dhe e ngritur nga Rama-Veliaj, Arben Ahmetaj, “Ndragheta” dhe banda e Lushnjës, u merr qytetarëve të Tiranës 11 milionë Euro në vit duke shtuar fiktivisht sasitë e mbetjeve në fatura. Por kjo skemë kriminale merr dhjetëra, miliona Euro të tjera për shkak të pozitës që ka. Ky biznes sot, si monopol në tregun e vendit”, u shpreh Belind Këlliçi.

Ndërsa Ina Zhupa deklaroi se kjo skemë e ngritur i krijon monopolin Mirel Mërtirit.

Shteti po bën gjithçka që t’i garantojë këto pozita monopol që i ka dhe të sekserit të vetë Mirel Mërtiri fitimet më të mëdhaja të mundshme. Shteti është vënë në dispozicion dhe ka krijuar mekanizma të tilla që çdo para të vijë dhe të mblidhet pikërisht në këtë landfill mbrapa nesh. Konkretisht, nëse ti je një i varfër apo një anëtar i komunitetit rom, që nxjerr bukën e gojës duke mbledhur kanaçe nëpër vendet e grumbullimit të mbetjeve, policia të dënon, policia të diskriminon, policia të merr mjetet e tua të punës sepse këta duan që ricikluesit, kompanitë e riciklimit të jenë të detyruara që të vijnë të blejnë mallin dhe lëndën e parë vetëm në landfillin e Mirel Mërtirit, sekserit të Ramës, Ahmetajt dhe Veliajt. Asnjë nuk do kalojë pa marrë dënimin e merituar nga drejtësia. Treshja Rama-Ahmetaj- Veliaj, të cilët janë në krye të kësaj skeme kriminale mafioze, do të dalin para drejtësisë, në mos sot nesër. Skema që qarkullon 400 milionë Euro për të pasuruar, nuk dihet se kush janë pronarët e vërtetë, kjo skemë është vënë e gjitha në shërbim të Ramës, Ahmetajt dhe Veliajt të cilët bëjnë çdo ditë genocid me qytetarët, me bizneset e këtij vendi për t’ju hequr kafshatën e gojës, ndërkohë që ata vetë pasurohen me paratë e taksave tona”, tha zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. /tvklan.al