Kryeministri Edi Rama thotë se është takuar me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal, i cili është nën akuzë në SHBA, por ky hetim nuk ka lidhje me të.

Duke folur për gazetarët pas takimit me drejtuesit e qarqeve të PS, Kryeministri Edi Rama u shpreh se takimi që ka patur me zyrtarin e lartë të FBI-së nuk e prek atë në raport me hetimin që po bëhet ndaj McGonigal në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është një çështje e hetuar nga drejtësia amerikane e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autorë apo për vrasje nga pakujdesia apo kur vrasjet bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore. Në rastin konkret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe meje apo qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Zero.

Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm. Përmendja e emrit si pjesë në një takim nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Pra në SHBA është bërë hetim dhe janë nxjerrë përfundime. Takove një zyrtar të lartë të FBI, po e takova. Takova një zyrtar të lartë të FBI, po e takova, por kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja duke parë nga Tirana me dylbitë e politikës së çorodhepsjes së njerëzve dhe të zhurmës për zhurmë, aq më tepër në kushtet kur jemi përpara një fakti të ri dhe tronditës për 21 Janarin dhe kërkesës së ministrit të Drejtësisë dhe PS për të hapur hetimin në Prokurorinë e Posaçme. Dhe kush do të kuptoj e kupton. Sepse unë nuk mund të komentoj asgjë. Të komentoj mbi komente është e kotë. Unë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që çështja kryesore është çështje krejt tjetër“, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

  • Sa i përket një shqiptaro-amerikani që përmendet në dosje, z.Agron Neza, Rama thotë se këtë person e ka takuar vetëm në praninë e zyrtarit të lartë të FBI-së. Ndërsa për shqiptarin e dytë që përmendet gjithashtu në dosje, Dorian Duçka, thotë se ka qenë zv/ministër Energjetike në Qeverinë Rama 1 gjatë koalicionit me LSI, dhe se z.Duçka ka punuar për Kryeminstrin pa pagesë.

Përfundimet e hetimit dhe fillimi i fazës tjetër të procesit ku hetuesit amerikanë kanë dorëzuar dosjen e hetimit të tyre nuk ka asgjë nga këto që thoni ju. Absolutisht asnjë konkluzion. Përmendjet lexojini mirë sepse aty nuk përmendet absolutisht një gjë e tillë. Aty thuhet që çfarë njëri dhe çfarë thotë tjetri. Hetuesit thonë që hetimet kanë përfunduar, ka një të akuzuar për mosdeklarim dhe konflikt interesi në raport me shokun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja të cilin unë e kam njohur në takimin me të dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë lloj lidhje tjetër përveç këtij raporti miqësor dhe këtyre shkëmbimeve krejtësisht pa asnjë interes tjetër me zyrtarin e lartë të FBI-së. Fola për z.Agron i cili e përsëris vjen nga lëvizja demokratike, shumë i afër i të ndjerit Azem Hajdari, fis me Besnik Mustafajn, njerëz të nderuar padiskutim, të cilin nuk e kam njohur më parë asnjëherë, me të cilin nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa, por e kam takuar vetëm në praninë e zyrtarit të lartë të FBI-së. Përsa i përket personit tjetër, ka qenë zv/ministër i Energjetikës në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë“, deklaroi Rama.

  • Akuzave të opozitës u jep këto përgjigje: “Pse opozita e përdor një hetim në Shtetet e Bashkuara kundër nesh apo kundër meje, unë jam mësuar me këto. Jam mbingopur me të tilla historira që synojnë vetëm çorollepsjen e njerëzve dhe krijimin e një klime agresiviteti, ndasie, gjysmë të vërtetash që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe më mirë të shpenzoj më shumë kohë nga koha që i kam dhënë nxjerrjes së përditshme të këtyre gurëve që hidhen në lumë dhe pastaj hajde t’i nxjerrim, t’i shpjegojmë, t’i sqarojmë për të bërë më shumë punë për njerëzit, natyrisht pa shkëputur komunikimin nuk diskutohet. Jam shumë i fokusuar tek punët e përditshme konkrete se sa te komunikim sepse realisht është një klimë bigbrotheri politik dhe mediatik ku askush s’pyet për asgjë, të gjithë i gjëmojnë lajmeve sensacionale pa marrë parasysh janë të vërteta a të pavërteta, i gjëmojnë ‘likeve’, ‘shareve’, nuk kam asnjë ankesë për të tjerët“.
  • Për raportin me ish-zyrtarin e lartë të FBI, Kryeministri tha se e ka takuar edhe në zyrën e FBI në Nju Jork.

Unë kam folur në gjuhën angleze për natyrën e marrëdhënies dhe kam thënë një raport miqësor. Por jo mik në kuptimin që kam ndarë me të jetën për shumë vite. E kam takuar disa herë, e kam takuar në zyrën më të rëndësishme të FBI në SHBA, në zyrën e Nju Jorkut, ku më ka prezantuar dhe kolegë të tjerë, ku më ka dhënë nga ato kapele, medalje që në bigbrotherin politik u shfaqën si aparatura përgjimi. Ka ardhur në Shqipëri, jemi takuar. Interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda, opinione lidhur me ato fusha ai ishte ekspert i nivelit të lartë, krimi, korrupsioni, pastaj Amerika, Ballkani, Shqipëria, krejtësisht pa asnjë marrëdhënie tjetër. Unë nuk lajmëroj ambasadën amerikane kur takoj amerikanët. Janë amerikanët që lajmërojnë ose nuk lajmërojnë ambasadën. Kam takuar një ndër zyrtarët më të lartë të FBI. Dhe çdo zyrtar të lartë të FBI do e takoja përsëri sa herë të më jepej mundësia. Dhe unë kam takuar edhe Presidentin e SHBA. Dhge fakti që Presidenti i SHBA ishte në hetim apo mund të jetë në hetim, kjo nuk ka lidhje me mua apo me këdoqoftë që ne takojmë. Ne jetojmë në një zonë të botës ku njerëzit merren kë takove. Kështu që e kam takuar dhe kam bërë shumë mirë që e kam takuar. Gjithë kjo është një absurd. Më vjen keq për ju por nuk ju vë faj sepse ju jeni pjesë e ndërmarrjeve që përfaqësoni. Në akt-padinë të drejtësisë amerikane nuk ka absolutisht asnjë gjë që lidhet me mua apo me qeverinë përveç fakteve u takua këtu, u takua atje“.

  • Rama theksoi se në akt-akuzën e drejtësisë amerikane përmendet konflikti i interesit që ka patur ish-zyrtari i lartë i FBI McGonigal në lidhje me një shumë parash të marrë nga shoku i tij Agron Neza.

Drejtësia amerikane e cila e ka hetuar tërësisht dhe ka ngritur akuzë për personin dhe ka akuzë për konflikt interesi në marrjen e një borxhi nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja që jetojnë bashkë në Nju Jork. Çfarë do të thotë kjo që kam darkuar“.

  • I pyetur nga gazetarët për mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar që të hetojë lidhjet e Ramës me ish-zyrtarin e FBI, siç pretendon opozita, Kryeministri deklaroi: “Kjo çështje është hetuar nga drejtësia amerikane dhe kanë dalë konkluzione. Çfarë do hetohen këtu? Kjo nuk është çështje e Parlamentit të Shqipërisë. Nëse ju thoni që drejtësia amerikane mund të konstestohet nga vetëgjyqësia e foltores apo vulës, kjo është zgjedhja juaj. Nuk kam asnjë replikë, asnjë polemikë për të bërë. Unë u them njerëzve ja ku është pasqyra e të vertetës sipas drejtësisë amerikane”.

/tvklan.al