Akuzat për shitblerje votash nga Elbasani në Maqellarë, Rama: Strategji për të ndotur PS-në nga ata që i kanë duart me gjak


Akuzat për shitblerje votash nga Elbasani në Maqellarë, Rama: Strategji për të ndotur PS-në nga ata që i kanë duart me gjak

21:29 22/04/2021

Rasti i Maqellarës, kryeministri: Personat janë ndaluar nga prokuroria

Partia Demokratike bllokoi këtë të enjte një makinë në Maqellarë të Dibrës mbi dyshimet se personat që ishin në të shpërndanin para për të blerë vota. Në lidhje me këtë ngjarje, kryeministri Edi Rama u shpreh se këta persona janë ndaluar. Ai theksoi se nëse provohet që ata kanë kryer krim do të dënohen. Sipas tij, gjyqin në media të këtyre personave e bëjnë vetëm ata “që kërkojnë rrumpallë”.

Blendi Fevziu: Ju jeni shtet, keni polici, prokurori, kapini këto struktura. Ata janë kapur pas insistimit të militantëve.

Edi Rama: Kjo nuk është e vërtetë sepse sapo policia është lajmëruar ka shkuar në vendngjarje, ka marrë edhe prokurorinë dhe personat janë ndaluar dhe janë në prokurori, por gjyqin atyre në media mund t’ia bëjnë vetëm ata që kërkojnë rrumpallë. Do të flasë prokuroria, do të flasë drejtësia dhe cilët do të jenë ata të shkojnë aty ku e kanë vendin nëse provohet. Personat që janë kapur janë të ndaluar dhe po investigohen.

Sa i përket akuzave për shitblerje votash nga opozita, Rama tha se është strategji për të ndotur procesin zgjedhor dhe PS-në. Kryeministri u shpreh se drejtuesit e PD-së i kanë duart me gjak pas asaj ngjarje që ndodhi në Elbasan ku humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

“Akuzat që ngrihen janë pjesë e të njëjtës strategji që vazhdon për të ndotur maksimalisht me çdo çmim procesin dhe natyrisht PS-në, ndërkohë që ata që kanë bërë akuzat sot i kanë duart me gjak. Kanë vrarë një njeri dhe është plagosur një police”.

Rama tha ndër të tjera se Partia Demokratike ka pranuar që ka një strukturë të armatosur që kanë vrarë një njeri dhe kanë plagosur një efektive./tvklan.al






Të ngjashme