Ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus” për të diskutuar për ndërtimin dhe investimin që po zhvillohet në rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Prokuroria e Tiranës ka evidentuar probleme në tenderin e kësaj rruge, duke pretenduar se kostoja e saj arrin në vlerën rreth 1 miliard Euro.

Në lidhje me akuzën e prokurorisë ndaj tij për “shpërdorim detyre”, Teliti u shpreh: “Unë jam i hapur për të sqaruar publikun për këtë çështje, e cila nuk është siç duket. Ne kemi të bëjmë me një çështje, e cila po konsiderohet si çështje ligjore, por është tërësisht politike. Unë jam paraqitur në Prokurorinë e Tiranës në datën 07.09.2007, i thirrur nga prokurori i çështjes dhe më është komunikuar akuza e shpërdorimit të detyrës. Mesa duket unë isha i fundit që mora vesh akuzën për të cilën akuzohesha, pasi e kishin marrë vesh gjithë prokurorët e Tiranës dhe komshinjtë e tyre.  Në shtyp kishin filluar të shkruheshin dhe “Teliti zhduket”, ndërkohë që nuk ishte aspak e vërtetë. Që në thirrjen e parë të prokurorisë unë u paraqita. Akuza është e formuluar keq, edhe nga pikëpamja gjuhësore sepse ne bëhemi fajtorë pasi kemi iniciuar vendimet e Këshillit të Ministrave, të cilat qenkan bërë shkak për të lidhur kontratën, e cila qenka bërë shkak për dëme ekonomike ndaj buxhetit të shtetit.

Sipas Ish-zv.ministrit të Transportit rruga Durrës-Kukës-Morinë është nisur pa patur një projekt, pasi u konsiderua një prioritet i qeverisë shqiptare.

“Për 8 vite me radhë shqiptarëve iu tha se kjo rrugë do të bëhet dhe se ka projekt, por ne kur erdhëm në qeveri zbuluam se nuk kishte projekt. N.q.s. do të fillonte projekti i kësaj rruge dhe do të vazhdohej sipas procedurave, atëherë ne vetëm pas 3 viteve do të mund të fillonim këtë rrugë. Procedura e ndjekur është ligjore dhe e mbështetur në vendimin e Këshillit të Ministrave. Procedura është e re për Shqipërinë, por jo për vendet e rajonit”.

Në lidhje me llogaritjen e një kostoje për projektin, Teliti u shpreh: “Është llogaritur një kosto në momentin e lidhjes së kontratës, e cila do të korrigjohet me përfundimin e projektit. Ka përfunduar drafti i projektit, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare, janë bërë vërejtjet, i është rikthyer firmës dhe besoj se në fundin e Shtatorit do të kemi një shifër ekzakte. Por nuk bëhet fjalë për një projekt ekstremisht të shtrenjtë dhe nuk bëhet fjalë për shifra jashtë parashikimeve që janë bërë në fillim të kontratës, që ka qenë 418 milionë Euro”.

Por Prokuroria e Tiranës ka konstatuar se kostoja aktuale e rrugës Durrës-Kukës-Morinë ka shkuar në vleren prej 700 milionë Eurosh. Sipas Telitit, kjo shifër nuk është e vërtetë.

“Këtë shifër unë e kam dëgjuar vetëm nga prokuroria dhe në këtë pikë do të thoja që kemi bërë një gabim që kemi kërkuar asistencë ndërkombëtare për këtë projekt, pasi paskemi patur specialistët e prokurorisë që do të mund ta gjenin sa do të kushtonte kjo rrugë. Unë nuk e di nëse është e saktë, pasi është një shifër që do të dalë nga projekti dhe vetëm atëherë ne do të mund të kemi një shifër ekzakte, për të cilën do të mund të flasim. Prokuroria nuk mund të japë një shifër pa përfunduar projekti sepse është vetëm të hedhësh një shifër në treg, asgjë më shumë. Kjo rrugë u nis për t’u përfunduar sepse është një rrugë që do t’i japë Shqipërisë një dimension tjetër dhe që meriton paratë që do të shpenzohen për të”./tvklan.al