Komisioni Europian ka reaguar pas akuzave nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Një zëdhënës tha ditën e martë se akuzat janë të pabazuara dhe dezinformuese. Ai shprehu mbështetjen dhe besimin tek ambasadori Soreca dhe tha se po bën një punë të mirë në interes të BE-së dhe shqiptarëve.

“Duket se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Tiranë, dhe më duhet të them se akuzat nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kundër kreut të Delegacionit janë të pabazuara dhe dezinformuese. Liderët e BE e mbështesin dhe kanë besim tek ambasadori Soreca për punën që ai po bën në Shqipëri. Soreca po bën punë të mirë në interes të BE, por edhe në interes të shqiptarëve, punë të mirë edhe në interes të marrëdhënieve Shqipëri-BE.

Ne vazhdojmë të mbështesim fort reformën në drejtësi në Shqipëri. I bëjmë thirrje aktorëve shtetërorë dhe joshtetërore në Shqipëri të vijojnë zbatimin e reformës në përpjekjet e mëdha të Shqipërisë për të ndjekur reformën në drejtësi dhe Vettingun në gjyqësor, që po japin rezultatet e para të prekshme dhe nuk mund të ngadalësohen”, deklaroi zëdhënësi i KE.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit pretendon se Soreca është takuar me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, ditën që është shqyrtuar çështja e Teatrit Kombëtar. Sipas tyre, Soreca ka tentuar së bashku me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj që të ushtrojnë ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje./tvklan.al